Policia e Durrësit ka reaguar mbi ngjarjen e ndodhur pak më parë në Qerret, ku u shemb tarraca e një banese dhe zuri poshtë dy persona, pronarin e banesës dhe punëtorin.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, pronari i banesës fatkeqësisht humbi jetën, ndërsa punëtori i moshës 27 vjeç ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Sh. Sh. dhe shtetasin A. R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.
Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të 2 shtetasve. Shtetasi Sh. Sh. (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A. R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.