Një ditë pas publikimit nga “DurrësLajm” të situatës alarmante në pallatin nr.786 në lagjen nr.18, ku mbetjet inerte të krijuara nga procesi i riparimit të pallatit kanë “pushtuar” trotuarin dhe rrugën, vjen reagimi i Policisë Bashkiake.

Firmës së ndërtimit që po kryen riparimin e pallatit i është dhënë ultimatum, që të nisë nga nesër (e shtunë) largimin e pirgjeve me inerte nga hapësirat publike përreth pallatit, me shkallë dëmi DS3 nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Efektivët e Policisë Bashkiake kanë inspektuar paraditen e sotme pallatin, duke i komunikuar firmës së ndërtimit të nisë menjëherë largimin e inerteve, në të kundërt do të procedohet me masa administrative dhe hapa të tjerë ligjor.

Kamera e “DurrësLajm” ishte një ditë më parë në pallatin 5 katësh në rrugën “Agimi”, për të pasqyruar shqetësimin kryesor të 50 familjeve që banojnë në këtë banesë kolektive.

Prej mëse dy muajsh, pirgjet e mëdha me inerte kanë zaptuar hapësirat publike, ndërkohë që punimet e riparimit të dëmeve nga tërmeti janë ndërprerë, pasi firma e ndërtimit pretendon se nuk është paguar për realizimin e tyre.

Pirgjet me inerte mbërrijnë deri në dritaret e katit të parë të pallatit, ndërsa situata nuk ka nevojë për koment.  

M.B.