Një 55-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi u kap duke transportuar 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës.

Në kuadër të operacionit “Roados” u vu në pranga shtetasi Gramos Hoxha.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqipinjat”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte drejt Tiranës, emigrantë që kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Roads”.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit G. H., 55 vjeç, banues në Lushnjë.

Ky shtetas po transportonte kundrejt pagesës, me automjet, drejt Tiranës, 8 shtetas nga Afganistani, të cilët kishin si synim kalimin ilegal të kufirit me Malin e Zi.”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar afër banesës së 55-vjeçarit, u gjetën 82 krerë (viça), të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar në Shqipëri. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.

“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”,- e përfundon njoftimin e saj policia.