Presidenti amerikan Joe Biden, gjatë një mitingu bëri thirrje për “pauzë humanitare”. Gjatë fjalimit të tij, një grua e ndërpreu atë, duke kërkuar një armëpushim në Gaza.
Biden u përgjigj: “Unë mendoj se ne kemi nevojë për një pauzë. Një pauzë do të thotë të japësh kohë për të nxjerrë të burgosurit.”. Shtëpia e Bardhë më vonë sqaroi se ai kishte parasysh pengjet dhe ndihmën humanitare.
Më shumë se 400 mbajtës të pasaportave të huaja dhe palestinezë të plagosur janë lejuar të largohen nga Gaza për herë të parë në më shumë se tre javë, mes tyre shtetas britanikë dhe amerikanë. Ndërkohë, vendkalimi kufitar Rafah, që deri më sot, ishte hapur vetëm për të lejuar ndihmën humanitare për palestinezët në Gaza, do të lejojë kalimin edhe të civilëve.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), duke komentuar shpërthimin më të fundit në Jabalia të mërkurën, i thanë BBC-së se avionët luftarakë të IDF-së goditën një kompleks komandimi dhe kontrolli të Hamasit në Jabaliya, duke shtuar se “dy terroristë të Hamasit u eliminuan në sulm”. Sakaq, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut dënoi sulmin e së martës, duke thënë se numri i vdekjeve të civilëve “mund të jetë krime lufte” nga Izraeli. Ndërkohë, gjenerali Itzik Cohen, komandanti i Divizionit 162 të IDF, thotë se forcat e IDF kanë avancuar thellë në Gaza, “në portat e qytetit të Gazës”.