Stabilizimi i çmimit të naftës në bursë, që mbetet në kufirin e 90 dollarëve, pas tronditjes që i shkaktoi tregut lufta Rusi-Ukrainë, pritet që të mos zgjasë për shumë kohë.

Sipas Bankës Botërore gjasat janë që çmimet e naftës të rriten, duke shkuar në më shumë se 150 dollarë për fuçi nëse konflikti midis Izraelit dhe Hamasit përshkallëzohet dhe shtrihet në Lindjen e Mesme.

Banka Botërore nuk përjashton as mundësinë që konflikti midis hebrenjve dhe palestinezëve të ndikojë te rritja e çmimeve për lëndët e para, energjinë, produktet bujqësore, si dhe ushqimet.

Nafta tashmë është rritur me 6 për qind, që nga raundi i fundit i luftimeve, që nisën më 7 tetor, kur militantët e Hamasit nga Gaza sulmuan Izraelin jugor dhe vranë më shumë se 1,400 civilë, duke marrë peng edhe rreth 240 pengje.

Izraeli është përgjigjur me një bombardim të pandërprerë të Gazës, për të cilin Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se ka vrarë më shumë se 8,000 palestinezë, gati gjysma e tyre fëmijë.

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit vjen pasi lufta e Rusisë në Ukrainë tashmë ka ushtruar presion mbi tregjet, me atë luftë që është “goditja më e madhe për tregjet e mallrave që nga vitet 1970”, paralajmëroi kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill.