Në takimin e radhës të Klubit Rotarian Durrës, i ftuar special ishte studiuesi dhe pedagogu Përparim Kabo, i cili prezantoi librin e tij “Antropologjia e artit”, për shkirmin e të cilit i janë dashur rreth 12 vite jetë.

Me rreth 1600 faqe, i ndarë në dy vëllime, libri i profesor Kabos sjell për lexuesit të pathënat e jetës apo krijimtarisë së shumë njerëzve të shquar, duke filluar nga Viktor Hygoi i madh, të cilit i kushtohet libri i parë, ndërsa në të dytin pasojnë njëri – tjetrin një galeri e tërë profilesh personazhesh mjaft të njohur të artit dhe kulturës në Shqipëri.

Filozof në formim, profesor Kabo i zbërthen personazhet e librit të tij herë përmes bisedave imagjinare që zhvillon me ta apo nga bashkëbisedimet e shumta që ka zhvilluar përgjatë jetës me secilin prej tyre. Shtysën për të shkruar e mori nga akademiku Moikom Zeqo.

“Ti duhet të shkruash,- më tha Moikomi,- shkruan shumë, shumë bukur. Më ka lënë pa mend kjo që ke bërë. Dhe kështu unë mora besimin dhe bekimin nga një njeri i letrave”,- tha profesor Kabo.

Gjatë mbrëmjes, profesor Kabo ndau me të pranishmit shumë të pathëna të personazheve të librit të tij, por nuk mungoi edhe një lamtumirë e tij për aktorin e madh Mirush Kabashi.

“Në teatër, ku ai nisi hapat e para, edhe sikur vetëm “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” të përmendim e Kostas Varnaris, pjesa mund të jetë luajtur nga shumë autorë Sokrati i Kabashit ka qenë dhe mbetet një Sokrat shumë emocionues për ndërtimin tejet organikisht të rrëfimit, thyerjen ideore dhe përjetimin emocional”,– tha ndër të tjera profesor Kabo.

Ndërsa për yllin e skenës sonë, Tinka Kurti, ai kujtoi disa detaje që pak kush i di.

“I ati, Deda, kishte qenë ofircer i lartë dhe kishte studiuar jashtë, ndërsa Tiinka lindi në Sarajevë. Nëna ishte hungareze, këngëtare operistike. Kur Tinka erdhi në Tiranë takoi një mik të fëmijërisë, Kristaq Ramën, babanë e kryeministrit të sotëm, zotit Edi Rama. Ishte Kristaqi që ndikoi që Tinka të futej në fushën e artit”.

I lidhur fort me Durrësin përmes miqve të përbashkët apo gjatë vizitave të vazhdueshme në qytetin bregdetar, ai ka një këndvështrim goxha interesant të lidhjeve që qyteti ka pasur me konceptin e lirisë, madje dhe në vitet e regjimit komunist.

“Kujtoj darkat në hotelet Kruja dhe Apollonia, në verandat e tyre, dëgjoja grupe muzikore të Durrësit, që luanin aq bukur, deri muzikë jazz kam dëgjuar në atë kohë. Këto ishin elementë të një lirie, që mund të ekzistonte në atë kohë në kushtet e një shoqërie të frikës”.

Presidenti i klubit rotarian Durrës, Jonadri Prodani i dhuroi profesor Kabos në emër të klubit një Certifikatë Mirënjohjeje me motivacionin “Për kontributin e madh dhënë në fushën e artit dhe kulturës, kërkimit shkencor dhe aktivizmit të tij në shumë kauza qytetare si pjesë e Shoqërisë Civile”. 

“Rotary i ka të gjitha mundësitë, i ka të gjitha fuqitë intelektuale, për t’i dhënë një kahje tjetër historisë së vendit, jo zhvillimit, por historisë. Dua ta mbyll me një fjali: Kjo kohë që kemi humbur nuk është kohë dite, është kohë historike. Shqiptarët po humbin kohë historike!”, – tha në fund të fjalës së tij profesor Kabo.

M.B.