Një grua nga Durrësi, nënë e 4 fëmijëve, dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë, pas bullizimit në rrjetet sociale.
Paraprakisht dyshohet se viktima e identifikuar si B. L., 41 vjeçe, kishte denoncuar 1 vit më parë në Policinë e Durrësit se persona të panjohur i kishin hapur adresë false me identitetin e saj në rrjetin social TikTok dhe e përdornin për ta bullizuar.
Burime konfidenciale nga policia e Durrësit thonë se kjo gjë e kishte shqetësuar shumë nënën e 4 fëmijëve, por blutë po hetojnë, nëse shkaku për të ndërmarrë aktin ekstrem ka të bëjë me këtë çështje.
Policia ka nisur tashmë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti të rëndë, ndërsa mësohet se gruaja kishte denoncuar një vit më parë pranë autoriteteve këtë adresë false që i denigronte figurën nga ana morale, por nuk dihet nëse është marrë parasysh apo jo.
Mësohet se gruaja me origjinë nga Dibra, jetonte në Durrës me fëmijët e saj, më i madhi 21 vjeç dhe më i vogli 10 vjeç, ndërsa bashkëshorti ishte emigrant në Greqi, dhe ishte kthyer për festat e fundvitit.





