Prej 8 vitesh është kampione kombëtare në peshëngritje, ndërsa 2 vite më parë ishte e vetmja shqiptare që hyri në zonën e medaljeve në Evropianin e Peshëngritjes për të Rinj & U-23. Shtangisten durrsake Arjeta Rade e shtyu rastësia drejt një sporti që konsiderohet burrëror dhe kjo ndodhi pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

“E kam filluar peshëngritjen më 8 mars 2017. Isha volejbolliste, por rastësia më solli tek peshëngritja dhe prej 8 vitesh kam mbetur në peshëngritje. Ishte rastësi e bukur! Kur kam ardhur për herë të parë në palestër kishte vetëm djem dhe isha pak e ndrojtur, sepse në një palestër vetëm me djem nuk mund të bësh dot stërvitje. Trajneri Besnik Psatha më tregoi që këtë sport e kanë ushtruar edhe shumë femra të tjera, para meje. Zbulova që stërvitja në peshëngritje është diçka shumë e bukur për shëndetin dhe trupin”,- rrëfen Rade gjatë një interviste për “DurrësLajm”.

24-vjeçarja ka përfunduar studimet e larta për Edukim Fizik, por ndërkohë pret të bëhet edhe një juriste e ardhshme.

Orët e zgjatura të kaluara në stërvitje janë përkthyer me rezultate shumë të larta në këtë sport, por njëkohësisht është thyer edhe skepticizmi i prindërve, që tani janë mbështetësit e saj më të zjarrtë.

“E gjithë dita është e dedikuar për stërvitjen. Minimalisht jam 4-6 orë në palestër. Prindërit nuk e pranuan fare në fillim që unë do të merresha me peshëngritje. Por këto 3 vitet e fundit janë bindur që unë do ta vazhdoj si sport dhe nuk kanë çdarë të bëjnë. Gjithsesi, mbështetjen e tyre e kam pasur gjithnjë”,- thotë Rade.

Për trajnerin e saj prej 8 vitesh, Besnik Psatha, Arjeta është ndër peshëngrritëset më të përkushtuara, që ai ka stërvitur gjatë karrierës së gjatë në këtë sport.

“Me këtë sportiste kam 8 vite që dalim kampionë dhe nga gara në garë rezultatet vijnë duke u rritur. Me 107 kg që ngriti në shtytje nuk është rezultat i vogël, është një rezultat shumë i lartë. Pikësynimi ynë është të arrijmë majat më të larta. Gjithsesi më e lehtë është ta realizosh një fitore, sesa ta mbash. Kur e realizon fitoren dëshmon që ke punuar, por që ta mbash do akoma më shumë punë”,– thotë trajneri Psatha.

I etiketuar shpesh si sport burrëror, peshëngritja vazhdon akoma të jetë gati-gati tabu për shumë vajza.

E rikuperuar plotësisht pas një dëmtimi disa mujor, Arjeta i ka mjaft të qarta objektivat e saj përgjatë këtij viti.

“Objektivi kryesor janë dy gara, Islamikja dhe Ballkanikja dhe pse jo edhe Botërori. Por rëndësi ka më tepër arritja e rezultatit, sesa emrat e kampionateve.”

Mjaft krenare për flamurin kuq e zi që mbante mbi shpinë në podium në Evropianin e vitit 2022, Arjeta kërkon të përsërisë në eventet e ardhshme ndërkombëtare një sukses të ngjashëm si dy vite më parë.

M.B.