Asfalti në shumë pjesë të autostradës Tiranë – Durrës është në gjendje të degraduar.

Gropat e krijuara në shtresat asfaltike të saj janë problemi kryesor për drejtuesit e automjeteve, që e përshkojnë çdo ditë këtë segment që lidh qytetin bregdetar me kryeqytetin dhe aeroportin “Nënë Tereza”.

Ndër vite, në autostradë janë bërë riparime të pjesshme, për të sistemuar asfaltin në pjesët më të dëmtuara.

Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar prezantoi projektin për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në të dyja krahët e saj, ku një korsi në secilin sens do të jetë e dedikuar për emergjencat dhe tjetra për makinat e tjera.

Ndërhyrjet në terren pritet të nisin në tremujorin e parë të këtij viti dhe do të shtrihen si fillim nga kthesa e Kamzës për të vijuar në nyjen e Kasharit”.

Punimet në këtë pjesë të rrugës prej 5.8 km do të zgjasin 2 vite.

Ndërhyrja në autostradë do të realizohet me fondet e ARRSH, në vlerën 2 miliardë lekës. Gjerësia e autostradës aktualisht është 18,6 metra, ndërsa pas zgjerimit do bëhet 35,1 metër.

Zgjerimi i rrugës në lotin e parë nuk do të prekë asnjë ndërtesë dhe as rrugët dytësore, ndërsa ndërhyrja në pjesën tjetër të autostradës nga kthesa e Rinasit në Durrës dhe anasjelltas parashikohet të ndodhë pas vitit 2025.

Bashkë me shtimin e korsive nga kthesa e Kamzës te kthesa e Kasharit, do të bëhet edhe riasfaltim i rrugës ekzistuese.