Ekspertë të sigurisë kibernetike nga Ballkani Perëndimor u mblodhën sot në Durrës për të qenë pjesë e eventit 3 ditor Balkan Cybersecurity Days.
Ky është një nga eventet më të mëdha rajonale të sigurisë kibernetike. Edicioni i dytë i këtij organizimi shërben për thellimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të rritjes dhe forcimit të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mbrojtjen e infrastrukturave të informacionit nga sulme të ndryshme kibernetike dhe sulme të sofistikuara.
“Kjo konferencë i shërben padyshim bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit për të qenë së bashku dhe për të mbrojtur kufijtë digjitalë ndaj sulmeve të mundshme kibernetike. Investimi në fushën e sigurisë kibernetike në mënyrë të përbashkët me vendet e tjera ballkanike do të ishte një avantazh, një shtesë, një mundësi më e mirë për të qenë më të mbrojtur ndaj sulmeve të ardhshme”,– deklaroi drejtori i përgjithshëm i AKCESK, Igli Tafa.

Vendi ynë kohët e fundit është ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike, të iniciuara kryesisht nga shteti islamik i Iranit. Për të parandaluar situata të ngjashme, qeveria shqiptare po harton kuadrin e nevojshëm ligjor, ndërkohë që të gjithë aktorët e kësaj fushe duhet të kenë parasysh 3 shtylla kryesore gjatë punës së tyre.
“Investime në teknologji, investime në trajnime dhe ekspertizë si dhe investime në ngritje standartesh. Këto 3 shtylla do detyrohen të gjitha institucionet si ato publike, si ato private, por duke përfshirë edhe institucionet, që kanë një peshë shumë të madhe siç janë ato të pavarura të investojnë në këto 3 shtylla”,– tha Tafa.
Në ditët tona, nisur nga gama e gjerë e shërbimeve digjitale që ofrohen online, garantimi i papenetrueshmërisë së tyre falë sigurisë kibernetike mbetet domosdoshmëri e kohës.





