Sot në ambjentet e Fakultetit të Biznesit, Departamenti i Menaxhimit zhvilloi seminarin për prezantimin e gjetjeve të kërkimit të projektit “Eko – hotelet si një model i përgjegjësisë ambjentale dhe inovacionit në industrinë e hotelerisë”, mbështetur nga Agjensia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, në kuadrin e projekteve të bashkëpunimit të universitetit me industrinë.
Në prani të kolegëve të fakultetit, përfaqësuesve të sektorit të turizimit dhe studentëve Prof. Ermira Qosja, Denada Liça PhD dhe Dr. Silvana Gashi, prezantuan gjetjet e kërkimit të fokusuar në tri kampionë studimi: turistët, drejtuesit e strukturave akomoduese dhe grupeve të interesit të sektorit të turizmit.
Dekani i Fakultetit të Biznesit Prof. Shkëlqim Fortuzi u shpreh që ndërmarrja e studimeve të tilla, i shërben universitetit, raporteve të tij të bashkëpunimit me industrinë, transformimit të mentalitetit të të gjithë aktorëve në sektor dhe ndërgjegjësimit të tyre për rolin që u takon.
Fakulteti i Biznesit i UAMD, ka sot të gjithë kapacitetet për të ndërmarrë studime që impaktojnë zhvillimin ekonomik rajonal dhe më gjerë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës, z. Artan Luku theksoi se Shqipëria qëndron sot ndërmjet mundësive, ambicjeve dhe përgjegjësive të zhvillimit të turizmit, si sektori prioritar i ekonomisë. Në këto kushte, turizmi miqësor dhe i përgjegjshëm ndaj mjedisit mbetet një sfidë për të gjitha grupet e interest.
Gjithashtu, z. Luku u tregua i gatshëm për të patur bashkëpunime me sektorin e turizmit dhe grupet e interesit sepse tema të tilla, evidetojnë sfidat që për sektorin janë shumë të prekshme.
Gjetjet e kërkimit dhe nevoja për zhvillimin e turizmit miqësor me mjedisin hapën mjaft diskutime me përfaqësuesit e biznesit të turizmit dhe kolegët, duke shërbyer për reflektime për mundësi të reja bashkëpunimi, ku roli universitetit është shumë i rëndësishëm për t’u transformuar së pari brenda tij, duke reflektuar në kurrikul dhe aftësi të reja që duhet të krijojë dhe më pas në ndikimin në strategjitë që biznesi duhet të ndjekë dhe në politikat që qeveria dhe pushteti lokal duhet të ndërmarrë.
Turizimi miqësor me mjedisin nënkupton të punosh në përputhje me agjendat europiane e të OKB-së, kërkon ndërgjegjësim dhe edukim, siç kërkon vizion, bashkëpunim e lobim me qeverinë, inovacion dhe çertifikime duke marrë në konsideratë sjelljen e gjeneratës Z dhe “millenniums”, dhe hartuar strategji inteligjente marketingu.





