Zbulimi i dalë në dritë në kantierin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës i ka dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme këtij siti arkeologjik.
Pas rreth 6 javësh punë, ekipi i arkeologëve i drejtuar nga profesor Luan Përzhita ka zbuluar pjesën më të madhe të linjave së vilës antike luksoze. Por jo vetëm kaq. Zbulimet shkojnë deri në shekullin e 3 p.e.s, që i përket periudhës ilire.
“Kemi zbuluar një planimetri të të gjithë ambienteve të vilës, të holleve të saj, mënyrës së qarkullimit në të etj. Përveç kësaj, një risi tjetër lidhet me sondazhin e zhvilluar në pjesën jugore të vilës, i cili na dha material, shoqëruar edhe me monedha të shekullit III-II p.e.s., që lidhet me një periudhë mjaft interesante, që është ajo e mbretërisë ilire. Dihet që Durrësi ka qenë një qytet shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Ilirinë, por për gjithë Mesdheun në atë periudhë”,- thotë për “DurrësLajm”, arkeologu Përzhita.

Vila buzë detit dhe shumë afër monumentit më të rëndësishëm të qytetit, amfiteatrit, tregon shumë për zhvillimin ekonomik të qytetit antik.
“Vila është e një niveli shumë të lartë. Imagjinoni që ka qenë e shtruar në një sipërfaqe shumë të madhe me mozaikë shumëngjyrësh, ka pasur fontanën, ka pasur termën, që ka qenë mjaft e preferuar në atë kohë (shekulli I-II) . ajo ka pasur një jetë shumë dinamike, ka ambiente luksoze, të stolisura me afreske shumëngjyrëshe. Natyrisht ato janë prishur pas kolapsit që ndodhi në shekullin IV (viti 334), kur u regjistrua tërmeti i madh në qytet”.
Zbulimi i parë i rëndësishëm në këtë sit ishte mozaiku i përbërë nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë, ku paraqiten figura gjeometrike dhe floreale e që i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II. Po ndërsa gërmimet avancojnë, të tjera mozaikë mjaft interesantë vijojnë të surprizojnë ekipin e arkeologëve.

“Sapo patëm filluar gërmimin e mozaikut të dytë, kur zhvilluam intervistën e fundit. Tani kemi përftuar prej tij një sipërfaqe prej 12 metra katrorë. Ky mozaik vazhdon akoma që të zbulohet dhe në gërmimet e ardhshme besoj se do ta zbulojmë të gjithin. Ai shtrihet në pjesën e pishinës, e cila ka një gjatësi prej 12 metrash, ndërsa për të përcaktuar gjerësinë kërkohen ende gërmime.


Në krah të këtij mozaiku kemi zbuluar një tjetër mozaik, të kësaj natyre, ndërsa po kërkojmë rreth e qark fontanës, sepse mendojmë që ka qenë e rrethuar me mozaikë.”– tregon arkeologu.
Grupit të arkeologëve i kanë mbetur dhe rreth 2 javë kohë për të përmbyllur gërmimet 2 mujore.
Arkeologu Përzhita na rrëfen se ka ende punë në terren, në segmente të veçanta të këtij siti.
“Ne do të bëjmë edhe disa testime të tjera, të cilat kanë të bëjnë me pjesën qëndrore, siç është pozicioni që ka pasur më parë bunkeri i ndërtuar në vitin 1920, që të shohim nëse ka mbetur diçka nga dëmtimi që ai ka shkaktuar. Si dhe do të sqarojmë disa linja muresh, që të plotësojmë planimetrinë në formë horizontale të të gjithë sitit. Sondazhe të tjera do të bëjmë për kronologjinë edhe të përdorimit të termës dhe funksionit të ambienteve të vilës”.
Siti arkeologjik rezultoi një minierë zbulimesh arkeologjike për Durrësin, duke lënë të surprizuar edhe vetë arkeologët që punojnë në të.
M.B.





