Ja momentet pikante të ndeshjes Teuta-Partizani, e luajtur në “Niko Dovana” dhe e mbyllur me shifrat 0-2 në favor të të kuqve.

 * Nëse në të shkuarën jemi mësuar që në Durrës të ketë një numër të ulët tifozësh, në këtë përballje kishte prani të pranueshme tifozësh. Një numër i konsiderueshëm kishin ardhur edhe nga Tirana për të mbështetur të kuqtë.

* I pranishëm në stadium ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vetëm një ditë pas incidentit të ndodhur me drejtuesit e klubit të Ilirisë. Ai u pa i ulur pranë presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelli dhe zëvendëspresidentit të FSHF, Arben Dervishaj. Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, nuk u pa pranë tyre.

* Para nisjes së të dytës, Rrapaj dhe Mba shihet të bisedojnë gjatë rreth taktikës së lojës dhe mënyrës sesi duhet të lëvizin. Në fund duket se kjo bisedë jep fryte, sepse të dy tundin rrjetën dhe i japin fitoren skuadrës së tyre.

* Rrapaj shënon golin e parë të Partizanit dhe pasi feston me shokët, drejtohet te pankina dhe i jep një përqafim trajnerit Aleksandar Veselinoviç.

* Toma për Teutën dhe Shanaj për Partizanin janë debutuesit e kësaj ndeshjeje. Të dy u aktivizuan në pjesën e dytë si zëvendësues.

* Goli i Mba në minutën e 89-të i vë vulën ndeshjes dhe boshatis tribunat. Tifozët durrsakë humbin shpresat e barazimit dhe nisin të largohen menjëherë pasi topi tund rrjetën e Tafasit.

* Një ndërhyje e gabuar e Ismailit ndaj Llocit në afërsi të zonës acaron kapitenin Cara: “Po ç‘punë ke mor burrë, ç’punë ke që bën faull aty pa top”, dëgjohet kapiteni. Në goditjen e dënimit portën e shpëton Qirko me një pritje spektakolare.

* Ndryshim i papritur i Teutës, në formacion, Ardit Peposhi në momentin e fundit të nxehjes ndjeu shqetësime në kofshë dhe e kishte të pamundur të luante. Menjëherë stafi i bluve e zëvendëson me Boçin.

* Trajnerit Veselinoviç nuk doli fare në fushën e lojës kur ekipi mbërriti në stadium, por vetëm ndihmësit e tij, që përgatitën fushën për nxehje.

* “Luaj një çikë o Zeke se je dhe në kombëtare tani”, dëgjohen tifozët e kuq t’i drejtohen sulmuesit të Partizanit.