Nga BUJAR QESJA

Tek vendi i quajtur Brryli, kur shkon për Currila, është prej më shumë se tri dekadash selia e një durrsaku të thekur. Ka punuar në Uzinën Mekanike Bujqësore si saldator. I jati Petriti edhe ky mjeshtër në zanatin e llamarinistit po në UMB. Por Petriti e kishte shumë qejf gjuetinë e peshkut dhe dallohej ndër shokët. Njeri i ndershëm, punëtor i madh. Por shumë durrsak. Dhe kur thua shumë durrsak, ke parasysh cilësitë më të mira dhe origjinale që kanë bashkëqytetarët e mi.

Janë të urtë, të mënçur, xhentilë, të sjellshëm, kavaljerë, hokatarë, nuk sulmojnë por mbrohen, të pranueshëm në shoqëri, të japin shpirtin kur binden dhe në këmbim stë kërkojnë asgjë. Këto janë disa nga cilësitë e Petrit Turkut, këtij burri të rrallë e zotni i lindur. Dhe fatmirësisht këto cilësi, i trashëgoi edhe i biri, Tim apo Shpëtim Turku.

Absolutisht nuk lidhet me interesat e mia ky shkrim, pavarësisht se argumentin e ka në piknisje nga unë. Sepse ajo që përpiqet të më ofrojë, është konstante e punës së tij, e zemrës së madhe, të thellë sa deti që ka pranë. Tim Turku është i njohur, madje shumë i njohur. Por jo shumë për peshkun që tregton, në atë lokal të thjeshtë dhe popullor që ka krijuar. Investimi më i madh i tij siç po del është në qytetari, në miqësi e shoqëri, duke u bërë praktik në këtë jetën tonë, e duke dhënë shembullin që njerzillëku dhe fisnikëria jo vetëm nuk shuhen, por ridimensionohen.

Tim Turku shkëlqen, jo nga dielli që e prek, por nga ndriçimi i gjithkohshëm i shpirtit dhe zemrës. Shpirti i tij nuk ka natë, por vetëm ditë. Shpirti i tij nuk lëngon, por vetëm këndon, kërcen nga gëzimi dhe kënaqësia. Sidomos kur shikon mirë durrsakët e tij. Por më parë ai përpiqet, që të ndikojë në gjendjen e tyre shpirtërore, duke bërë ndere, duke ndihmuar sadopak. E në çfarë? Në atë që është më kryesorja: në miqësi dhe respekt, në mirënjohje dhe vlerësim.

Po më thonte një ditë:

-Nuk mund të pohoj, se jam i pari që i dua durrsakët. Por tentoj të jap shembullin, që mbetem gjithnjë dhe në çdo kohë pranë tyre. Çfar bëj? Rri e mendoj. Kujtoj emra miqsh dhe shokësh. Dhe në raste të veçanta i telefonoj, apo i çoj haber të pinë një gotë verë dhe t’i qeras me ndonjë peshk të freskët tek Tim Turku. Nevojat e njeriut nuk mbarojnë asnjëherë, por zemra duhet të mbetet gjithnjë e madhe, pasi nuk humbim gjë nëse veprojnë kështu.

Tim Turku ka dy vajza. Njërën në Francë dhe tjetrën në vatanin tonë. Jeton së bashku me gruan, pasi vajzat i kanë dalë në jetë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Ekonomikisht është mirë, pasi ka punuar, po punon dhe do të punoj edhe më tej me sa të mundet. Atë çik lekë të fituar, kërkon ta ndajë me durrsakët, duke i ftuar tek Brryli i tij i famshëm, herë njërin dhe herë tjetrin.

-Kisha 82 vjetorin e lindjes, më tregonte emri i njohur i sporteve në Durrës Tom Fishta. Bëra një drekë, ku ftova 12 shokë e miq. Zgjodha lokalin e mikut tonë të hershëm, të durrsakut të madh Tim Turku. Kur shkova të bëj pagesën, më thanë se tavolina është paguar nga Tim Turku. Zemra mal m’u bë, jo thjesht se kurseva ca lekë, se unë i kisha planifikuar për ti shpenzuar. Por u mbusha me kënaqësi, pasi më respektoj ky Tim i zemrës njerëzore. Më dha suport shpirtëror dhe shprehu mirënjohje, për këtë grup moshe, që veç pensionit s’kemi çtë marrim tjetër.

Këtë kërkoj të shtroj në këtë shkrim, respektin dhe mirënjohjen. Koha e sotme vërtet është koha e materialit, e të pasurit, e akomulimit financiar, por jo të vrasim shpirtin e të coptojmë zemrën, e ta bëjmë të vogël si top pingpongu. E ky Tim Turku ngren madhështinë e vet mbi thjeshtësinë dhe modestinë dhe tregon se leku, apo paraja të duhen, por jo deri aty se të tjetërsojnë, e të të kalbin e të cungojnë raportet njerëzore.

Shpëtim Turku, me profesion saldator kur ishte koha. Edhe tani saldon ky Tim Turku. Por saldon hijshëm dhe bukur miqësinë tek njerëzit, duke i dhënë me pash shumë respekt dhe shumë mirënjohje. Kemi punuar shumë. Kemi dhënë shumë. Dhe absolutisht, nuk kemi marrë aq sa kemi merituar. Por del një Tim Turku dhe një ditë të bukur nga se pret, të telefon dhe të thotë:

-Miku im. Nesër është e dielë. Kam planifikuar një tavolinë për ju. Merr familjen, po e gjykove edhe ndonjë shok apo të afërm dhe të pres tek lokali. Më ka marrë malli. Dua të të takoj e të bisedojmë. Ti mbase ke planet e tua, por unë dua të të kem të ftuar si mik. I dua shumë durrsakët. Kanë qenë dhe do të mbeten përjetësisht të mitë. Jo se ju nuk kini nga të shkoni, por dua që këtë ditë, të jeni misafirët e mi. Hajde pra, mirardhshi.

Mbyllet telefoni dhe hutimi të mbulon në çast. Është dy herë hutim: së pari nga ftesa e papritur dhe me vlera humane dhe shumë njerëzore dhe së dyti, për kohën sot dukuri të tilla janë shumë, shumë të rralla. Ndjehesh i vlerësuar. Zemra të bëhet mal nga mirënjohja, respekti dhe mesazhi njerëzor që transmetohet. Dhe këtë ta bën si institucion, një njeri i vetëm. Dhe ky njeri i vetëm është Shpëtim Turku, apo Timi i Brrylit.

Sado të doja, që kjo të ishte normë për çdo instancë, pse jo edhe për çdo i ndivid, mbase duke filluar edhe nga unë, që t’u shprehim respekt dhe mirënjohje njerëzve, miqve apo shokëve. Rast i tillë m’u çfaq edhe nga Bardh Belegu, që vetëm për respekt për punën dhe angazhimet e mia publiçistike, më ftoi në selinë e vet në lartësinë e kodrave të Spitallës, duke ngritur akoma më lart fisnikërinë dhe xhentilesën e tij. Sado të doja që shembuj të tillë, t’i kishim shumë më shumë se kaq, për të patur më tepër Tim Turku, zemra dhe shpirti i të cilit, zmadhohet e zmadhohet çdo ditë.

E respektova kërkesën e Tim Turkut, këtij krahu të fqishëm me Brryl të fortë. U kënaqa thjesht edhe për një arsyje të qenësishme: u ndjeva i vlerësuar, shumë i respektuar. Nuk është se sigurova jetën me atë drekë. Por respektin dhe mirënjohje po.

Dhe këtë nga një njeri i vetëm, i cili din të sillet dhe t’i trajtojë durrsakët e tij, veçanërisht pjesë e vlerave të qytetit. Dhe ky shpirtmadh dhe ky zemërflori dhe ky fisnik e bir fisniku është Shpëtim Turku, apo Timi i Brrylit, apo djali i Petrit Turkut.

Paç uratën dhe bekimin e njerëzve, Timi jonë i mirë!

Bujar Qesja

Durrës: 10 shtator 2024

Në pamje, nga e djatha: Kostandina Ngresi, Ylli Qesja, Tim Turku dhe Bujar Qesja.