Vllaznia ka arritur të marrë një fitore dramatike përballë Teutës në sfidën e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” për javën e 5-të të Kategorisë Superiore.
Ishin shkodranët ata që e nisën më mirë ndeshjen, teksa në minutën e ’19 të takimit do të vinte dhe goli i avantazhit.
Ishte i riu Delaj ai që u tregua mjaft altruist dhe pasoi topin në zonë për Esat Malën, ku ky i fundit nuk gaboi përballë portës, teksa me rezultatin 0-1 u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës.
Edi Martini e nisi pjesën e dytë me ndryshime për Teutën, lëvizje të cilat i qëlluan të goditura, pasi prej të sapofuturit në fushë Nasr erdhi dhe goli i barazimit me kokë në minutën e ’57 të takimit. Pak minuta më vonë ishte sërish Nasr, i cili kishte shansin e artë për të përmbysur rezultatin, por rrëshkiti gjatë goditjes dhe topi i gjuajtur prej tij u ndal nga shtylla.
Në minutën e ’84 të takimit, shkodranët arritën të shënonin pas një kundërsulmi me anë të sapofuturit në fushë Edlin Matouti, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari e anuloi golin për prekje të topit me dorë.
E teksa të gjithë po mendonin se dy ekipet do të ndanin nga një pikë, Bekim Balaj u shndërrua në një hero për shkodranët, duke realizuar me kokë pas një goditje këndi në minutën e ’95, e cila ishte dhe minuta e fundit e shtesës.
Vllaznia vazhdon ecurinë pozitive, duke shkuar në kuotën e 10 pikëve, teksa Teuta ngelet me 6 pikë, pas 5 javësh të luajtura.