Ekipi i mundjes durrsake, “Jonas Wrestling”, ka dominuar bindshëm edhe këtë vit Kampionatin Kombëtar të moshave U15-U17, që u zhvillua në qytetin e Vlorës të dielën më 15 shtator.

“Jonas Wrestling” përfaqësoi në mënyrë dinjitoze qytetin e Durrësit, ku për të dytin vit radhazi arriti rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur kampion.

Në këtë aktivitet ekipi nga Durrësi konkurroi me 17 sportistë, 10 të grupmoshës U15 dhe 7 sportistë në U17.

Sportistët durrsakë falë punës së palodhshme edhe të tre trajnerëve Altin Kurtit, Fuat Brahit dhe Elton Azunit, arritën të marrin 5 vende të para, 5 vende të dyta dhe u rënditën 4 herë në vendin e tretë.

“Kemi një ekip që po vjen çdo vit në rritje me një potencial shumë të fortë, energji dhe shumë dëshirë për të punuar. Pretendimet janë që të rritet cilësia më shumë me qëllimin për të arritur rezultate të larta dhe në garat ndërkombëtare!”, shprehet trajneri Kurti.

Gjithashtu, “Jonas Wrestling” javën e kaluar për herë të parë u pëfaqësua në këtë kampionat dhe në moshat U9-U12, ku as këtu nuk munguan medaljet për sportistët e vegjël.