Në plazhin e Durrësit ka nisur zbatimi i projektit për rehabilitimin e shëtitores bregdetare dhe fasadave të ndërtesave në vijën e parë.
Kjo është faza e dytë e këtij projekti dhe pason fazën e parë të rehabilitimit të shëtitores, që u realizua nga sektori Hekurudha deri tek Konvaleshenca.
Aktualisht, mjetet e rënda të firmës zbatuese të projektit janë përqendruar në zonën pranë murit rrethues të portit. Projekti kap vlerën rreth 7.5 milionë euro dhe financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Krahas prishjes së shëtitores bregdetare ekzistuese nga zbatimi i projektit do të preken dhe rreth 10 subjekte private, të cilave do t’u prishen konstruksionet prej druri apo strukturat prej betoni që kanë ndërtuar në hapësira publike.
Projekti parashikon rehabilitimin e 41 fasadave të pallateve, të ndërtuara në vijën e parë të bregdetit të kësaj zone. Aktualisht ka nisur veshja me sistem kapotë të pallateve të vijës së parë pranë Urës së Dajlanit.
Paralelisht me punimet për ndërtimin e shëtitores bregdetare, janë depozituar pranë bregut të detit sasi të konsiderueshme rëre, të cilat do të shërbejnë për zgjerimin e sipërfaqes ranore.
Në një deklaratë të dhënë në fund të muajit shtator, Lorenc Facja, drejtor i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në bashki deklaroi për “DurrësLajm” se në një fazë të dytë do të realizohet zgjerimi i të gjithë vijës bregdetare me një brez rëre rreth 25-30 metra për të krijuar një bregdet uniform në këtë zonë.
“Do të kemi një uniformitet të të gjithë brezit të rërës të plazhit të Durrësit. Ky brez rëre do të shtohet me një gjerësi 25-30 metra gjatë të gjithë gjatësisë së saj, nga Ura e Dajlanit deri në murin e ish-Bllokut. Do të ketë prishje të strukturave ekzistuese dhe uniformitet të brezit të rërës”,- shpjegoi Facja.
Faza e dytë e ndërhyrjes në shëtitore parashikohet të zgjasë 540 ditë, ose rreth 1 vit e gjysëm. Mendohet se para nisjes së sezonit të ri turistik, do të ketë përfunduar rehabilitimi i pjesës së mbetur të shëtitores bregdetare.
M.B.