Durrësi feston sot 80-vjetorin e çlirimit të qytetit.
Me këtë rast, bashkia organizoi ceremoninë solemne për 14 Nëntorin e vitit 1944, në sallën e Këshillit Bashkiak, pasi kushtet atmosferike kushtëzuan mbajtjen e saj në ambient të hapur.
Ceremonia u hap me ekzekutimin e himnit kombëtar nga kori i nxënësve të shkollës “Kushtrimi i lirisë”.
Në fjalën e rastit të mbajtur në ceremoni, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako dhe kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës, Besim Shahini e vunë theksin në rëndësinë e madhe historike që kishte në ato vite, por edhe për periudhën në vazhdim kontributi i qytetarëve durrsakë që u angazhuan në këtë luftë dhe gjaku i dëshmorëve të rënë për çlirimin e qytetit dhe të Shqipërisë.
“Ne u përulemi sot me mirënjohje të gjithë atyre djemve dhe vajzave durrsake që e lidhën fatin e tyre me fatin e fitores antifashiste. Sot, pas 80 vjetësh ne jemi krenarë te përkujtojmë ditën historike të 14 nëntorit dhe të shprehim respektin dhe mirënjohjen për qytetarët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë për të sakrifikuar deri dhe jetët e tyre për lirinë e vendit. Historia e Shqipërisë do t’u jetë mirënjohëse vlerave të antifashizmit të popullit shqiptar, qendresës e vetëmohimit të vullnetarëve të ushtrisë nacionalçlirimtare.”,- tha kryebashkiakja Sako ndër të tjera.
Përgjatë viteve të luftës antifashiste nacional çlirimtare, Durrësi regjistron 274 dëshmorë të rënë në luftën për çlirimin e vendit, ndërkohë që mijëra qytetarë të tjerë u angazhuan në rradhët e brigadave partizane.
M.B.