Kapiteneria e Portit Durrës i vjen në ndihmë jahtit “I AM”.

Së bashku me kompaninë ASHD të rimorkimit, kapiteneria e portit më të madh në vend ka kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e shpëtimit.

Në distancën 40 milje nga bregu, jahti kërkoi ndihmë nëpërmjet agjensisë, pasi mjeti ndihmues gomone ishte shkëputur nga mjeti lundrues si pasojë e erës së fortë, në drejtimin verilindje, që frynte nga gryka e Bunës.

Rimorkiatori “Epidamn” u nis në drejtim të mjetit dhe në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm mjeti tip tender Whatchdog u akostua në kalatën nr.5 të portit të Durrësit.