Banorët e Porto Romanos që ndodhen pranë vend-depozitimit të rreth 2100 tonë mbetjeve të dyshuara toksike në Durrës, kanë protestuar paraditen e sotme kundër magazinimit të kontenierëve me mbetje të rrezikshme pranë banesave të tyre. 

Banorët shprehen se ndjehen të rrezikuar nga prania e tyre afër shtëpive dhe kullotave të bagëtisë.

Ata kërkojnë nga autoritetet që magazinimi i kontenierëve të bëhet në një zonë larg qendrave të banuara.

“Nuk jemi endacakë që rrimë në qytetin e Durrësit dhe flemë jashtë. Ne jemi familjarë, kemi fëmijë, kemi pleq, kemi blegtori. Blegtoria kullot andej dhe më pas ne qumshtin e tregtojmë ose e pijmë vetë.

“Është një veprim paradoksal. Këto mbetje unë i njoh shumë mirë dhe janë mbetje të arsenikut, të plumbit, të metaleve me ngjyrë që shkojnë shumë shpejtë në thellësi të tokës. Kjo as në vendet e botës së tretë nuk mund të ndodhë.”

“Kemi 30 vjet që jetojmë këtu, është një zonë e ndotur, kemi pasur probleme me mbeturinat, kanë vdekur njerëzit nga tymrat që krijoheshin nga djegia e mbeturinave”, u shprehën disa nga protestuesit.