Tregu imobiliar nuk është në momentin e tij më të mirë. Transaksionet për shitblerjet e pronave në Durrës kanë rënë në masën 10-15% gjatë vitit 2024 dhe kjo për një sërë faktorësh që lidhen me çmimet e larta të metrit katror të pasurive të paluajtshme, mos aplikimin e procesit të rivlerësimit, por edhe mbingopja e tregut me ndërtime.
Në Durrës dhe zonën e Golemit çmimet e metrit katror në pallatet që po ndërtohen vijojnë të mbeten të larta, shpesh të papërballueshme për familjet me të ardhura mesatare dhe për çiftet e reja që janë në kërkim të një banese.
“Në Durrës aktualisht nuk ka ndërtime dhe ato pak ndërtime që janë me çmime të ekzagjeruara. Psh. tek tregu industrial është 1200 euro m2, ndërkohë që për familjet mesatare normale është gati e pamundur për t’u arritur. Ndërtuesit sot ofrojnë metrin katror me 1200-1300 euro. Në zonën e Golemit kemi pallate që janë ende në gropë dhe ofrojnë metrin katror me 1300-1400 euro”,- thotë për “DurrësLajm”, administratori i agjencisë imobiliare Mei Smart, Florian Tahiri.
I goditur rëndë pas tërmetit 5 vite më parë, tregu imobiliar në Durrës u rimëkëmb shpejt, kjo edhe për shkak të shtetasve të huaj, kryesisht lindorë, që ishin në kërkim të blerjes apo marrjes me qira të apartamenteve.
Gjatë këtij viti, qiratë mujore kanë pësuar një ulje të ndjeshme krahasuar me çmimet e ekzagjeruara të një viti më parë.
“Kryesisht qytetarët italianë marrin apartamente me qira 300-400 euro, maksimumi 600 euro. Nuk marrin apartamente më të shtrenjta sepse thonë: Nuk na dalin llogaritë, po shkoni më lart se Italia! Gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë shumë shtetas rus dhe ukrainas erdhën duke shkaktuar bumin e qirave në Durrës, ku nisën të lëshoheshin me qira mujore 800 – 1000 euro apartamente të mobiluara mirë . Vitin e fundit, ajo çka po konstatojmë është që nuk kemi më qira të larta mujore. Nuk ka më qira mbi 600-700 euro në qytetin tonë”,– thotë Tahiri.
Të dhënat e Censit 2023 evidentuan se 40% e banesave në pallate ishin të pabanuara në shkallë vendi, por në disa qarqe, kryesisht atyre bregdetare ky numër ishte më i lartë.
Durrësi renditej direkt pas Vlorës me 58% të banesave në pallate bosh.
M.B.