5 vite më parë, Durrësi dhe një pjesë e mirë e Shqipërisë u goditën nga tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.4 Rihter, i cili shkaktoi 51 viktima në mbarë vendin dhe mbi 3000 të plagosur.
Ndërkohë dëmet materiale ishin kolosale, ku Durrësi renditej si qyteti më i dëmtuar nga fatkeqësia natyrore.
5 vite më pas, në qytetin bregdetar procesi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar plotësisht, pasi punimet e riforcimit vazhdojnë ose pritet të nisin në një pjesë të godinave me shkallë dëmi DS4.
Mbi 90% e objekteve të dëmtuara me shkallë DS3 dhe DS4, kanë përfunduar rikonstruksionin, ndërsa 10% e tyre janë në proces përforcimi.
Në 44 objekte arsimore të dëmtuara nga tërmeti kanë përfunduar punimet, ndërsa në 5 të tjera janë në proces (me përjashtim të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, ku punimet janë pezulluar si pasojë e gjetjeve arkeologjike).
E pyetur nga “DurrësLajm” lidhur me ecurinë e procesit të rindërtimit në bashkinë Durrës, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako deklaroi se është bërë një punë e madhe për rindërtimin e godinave të shembura, për ndërtimin e sitit të ri në Spitallë, me rreth 1000 apartamente të reja, dhe po ashtu edhe me rindërtimin apo rikonstruksionin e institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti.
“Sot ne kujtojmë me dhimbje ata që kanë humbur jetën në tragjedinë që goditi qytetin e Durrësit dhe qytetet e tjera. Është bërë një punë e madhe gjatë kësaj kohe për rikuperimin e dëmeve. Praktikisht kemi rindërtuar një qytet të ri brenda qytetit. Kemi një bilanc shumë të mirë me shkollat e reja të rindërtuara, të cilat do të mbeten me dekada për nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e Durrrësit. Përsa i takon ndërtimit të banesave, mbi 400 apo 500 familje janë sot në banesat e reja të ndërtuara dhe jemi duke përfunduar lagjen e re të rindërtimit, e cila do të bëjë të mundur finalizimin e procesit dhe dorëzimin e shtëpive për personat që i humbën banesat’.
DurrësLajm: Kur mund ta konsiderojmë të mbyllur procesin e rindërtimit në Durrës?
“Ne sigurisht kemi vitin 2024 si objektiv të dorëzimit të apartamenteve të lagjes së re, aty ka ende disa punime për infrastrukturën, lidhjen me rrjetet e OSHEE-së dhe Ujësjellës – Kanalizimeve, të cilat janë drejt fundit. Do t’i qëndrojmë këtij objektivi. Besojmë dhjetori dhe janari do të jenë një datë për dorëzimin e banesave”.
M.B.