Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit më 26 nëntor 1912. 

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, prefekti Emiljan Jani, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë të Durrësit. 

Pas tingujve të himnit kombëtar flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur kryebashkiakja Sako.

Në fjalën e rastit, që ajo mbajti në ceremoni vlerësoi maksimalisht kontributin e atdhetarëve durrsakë që në ato ditë historike për qytetin dhe vendin garantuan ngitjen e flamurit kuqezi në Durrës dhe udhëtimin e sigurt të Ismail Qemalit drejt qytetit të Vlorës.

“Kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. 112 vjet më parë kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, ngriti flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912. Një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta dhe sakrificat e panumërta që janë bërë për këtë vend, një akt historik të cilin e nderojmë gjithmonë. Durrësi është qyteti që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët e shquar që e shoqëronin, në rrugëtimin për realizimin e ëndrrës dhe misionit të shenjtë,për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.Me ngritjen e flamurit, më 26 nëntor 1912, u çel rrugëtimi drejt krijimit të shtetit të pavarur të shqiptarëve. Në këtë përvjetor ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje, figurat e shquara durrsake për veprimtarinë atdhetare: kryetarin e parë të Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, ata njerëz të devotshëm që siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës: Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha, Abaz Çelkupa, patriotët durrsakë: Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan e Marie Kaçulini, e të tjerë. Ajo ngritje flamuri nuk ishte thjesht një rit ceremonial, ajo ishte një ndarje përfundimtare me të kaluarën”,– tha ndër të tjera Sako.

Shqiptarët në të gjithë vendin, por edhe ata jashtë kufijve amë po përgatiten këto ditë të festojnë dy nga datat më të rëndësishme historike, 28 nëntorin që përkon me shpalljen e pavarësisë së vendit dhe 80-vjetorin e çlirimit që kremtohet më 29 nëntor.

M.B.