“Titanët” e ringut po bëhen gati për edicionin e pestë të turneut të boksit “Titans Fights”, që është kthyer në një traditë të bukur sportive në qytetin e Durrësit.

Më datë 29 nëntor, pallati i sportit “Ramazan Njala” do të jetë arena ku kampioni i Ballkanit, Alban Beqiri, kampionia e Shqipërisë Ermira Rexhmati dhe boksierë të njohur të ekipit të Teutës do të ndeshen në përballjet me rivalët e tyre nga vende të ndryshme të Evropës.

“Kemi marrë sportistë nga akademia “Teuta”, e cila po përparon çdo ditë, nga të vegjlit, tek të rriturit. Kryesisht ka ndeshje boksi profesionist, boksi olimpik dhe kikboksi.  Kundërshtarët vijnë nga Greqia, Gjeorgjia, Hungaria, Franca, Amerika etj. Këtë vit është bërë pjesë e turneut një nga sportistët më të mirë që ka historia shqiptare e boksit, Alban Beqiri, që para dy ditësh u shpall kampion Ballkani, Ardit Murja, Mexhid Hyseni, kampion absolut ne kikboks, Ardit Boriçi e shumë të tjerë”,- deklaron për “DurrësLajm”, trajneri Enton Kikrri.

Stërvitja intensive e bërë përgjatë gjithë këtyre javëve dhe muajve pritet të kurorëzohet me fitore, sepse djemtë e Titanëve synojnë të japin më të mirën në ring.

“Ky është edicioni i pestë që marr pjesë, do të përballem me një rival nga Turqia. E kam studiuar dhe do jap më të mirë time”,- tregon Ardit Murja.

Ndërsa Ardit Boriçi, që ka arrdhur nga Franca apostafat për këtë turne për t’u përballur me një boksier nga Gjeorgjia. Ai beson fort se do të përsërisë rezultatin e një viti më parë, fitoren.

Përballjet garantojnë një spektakël të vërtetë sportiv, por sportdashësit do të mund të shijojnë edhe një spektakël humori dhe muzike nga emra të njohur të skenës shqiptare.

“Kemi këngëtarë, kemi humoristë si Visjan Ukcenaj, Irgen Çelën, kemi akrobatë të Cirkut Kombëtar. Kemi shumë surpriza atë natë. Kemi pasur ndihmën e donatorëve, sidomos bashkisë Durrës dhe kryetares Emiriana Sako, që na ka mbështetur shumë”,– thotë Fred Shoshi, president i klubit.

Gjithçka duket se tashmë është gati për natën e madhe të boksit, ku përballjet nisin që nga ora 16.00, për t’u përmbyllur me përballjen finale rreth orës 23.00.

M.B.