Saleh Naser shënoi një eurogol në pjesën e dytë ndaj Vllaznisë, por që Teuta nuk arriti ta administronte në maksimum vlerën e golit të egjiptianit. Pas humbjes 2-1 me Vllazninë, Naser pohoi se Teuta ia kishte bërë “hyzmetin” trepikëshit, por futbolli pranon çdo rezultat në fund. Ai  foli për takimin, si dhe për sfidën e radhës në kampionat me Dinamon.

Sa keqardhje keni, për mënyrën si shkoi loja dhe nuk morët pikët?

Patjetër që jam i mërzitur që nuk morëm të paktën 1 pikë, por kur shikon se dominon për gati 80 minuta, ke raste për të mbyllur ndeshjen dhe të ishim më të qetë atëherë si të jem i kënaqur. Meritonim padyshim, të paktën një pikë në atë duel, por ky është futbolli do të shohim përpara.

Teuta ka marrë 2 pikë në tri javët e fundit, çfarë i mungon skuadrës që nuk po reagon?

Duhet të përmirësohemi sa më shumë dhe të rikthehemi te suksesi. Të gjithë çunat janë për t’u vlerësuar maksimalisht, po japim shpirtin në fushë. Nuk duhet t’i vendosim faje njëritjetrit. Kemi humbur ose barazuar ndeshje nga episode që kanë qenë neglizhencë e jona dhe jo zotësi e kundërshtarit.

Ndeshja e tretë radhazi pa sukses, po krijon një shkëputje me ekipet e tjera?

Objektivi është ndeshja e radhës. Duhet t’i marrim një nga një. Objektivi i radhës është të lëvizim nga këto pozita që jemi. Do të mundohemi që të japim më të mirën dhe për të qenë më lart nga ky klasifikim ku jemi. Duhet t’i marrim një nga një, sepse nëse do të marrim objektiva të mëdha, nuk mendoj se jemi në ato pozita për të vendosur objektiva madhore.

A mund të themi se ka një ngërç në ekip?

Jo nuk ka ngërç, ambienti është i qetë dhe në këto momente jemi në pozita të mira vetëm 3 pikë larg vendit të katërt. Skuadra ka bërë disa hapa fals, të pafalshme ashtu si dhe ndaj Vllaznisë. Në psikologjinë time nuk më intereson se kë kam përpara. Barazimi në fushën tonë është humbje për mua dhe për të gjithë. Shpresoj që të fitojmë me Dinamon. Shpresoj që të përmirësohemi.

Çfarë sfide prisni me Dinamon?

Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur, këtë sfidë dhe do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër.