Me rastin e 80-vjetorit të çlirimit, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, prefekti i qarkut, Emiljan Jani, deputetë, përfaqësues të Këshillit Bashkiak, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë të Durrësit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve.
Gjatë ceremonisë solemne të organizuar në nderim të atyre që bënë sakrificën më sublime për çlirimin e qytetit dhe të atdheut, duke dhënë edhe jetën, nuk u mbajt asnjë fjalë rasti.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë, në një postim në rrjete sociale shkruan:
“Mirënjohje dhe respekt për ata vajza e djem të këtij populli që kryen sakrificën sublime duke vënë idealin e lirisë së atdheut përpara jetës së tyre.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.
Të gjithë ata shqiptarë patriotë të cilët luftuan me armë në dorë për çlirim e vendosën Shqipërinë në krahun e duhur të historisë, mes vendeve fituese të kualicionit botëror antifashist.
Kjo ditë, na obligon t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja, ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane”.