Një nga pikat e rendit të ditës, që pritet të diskutohet ditën e hënë në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak Durrës është miratimi i vlerës paraprake të 103 pasurive të paluajtshme, që preken nga investimi që do të kryhet në zonën historike të qytetit bregdetar, kryesisht përgjatë Bulevardit Epidamn.
Transformimi i kësaj zone është pjesë e marrëveshjes mes Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë Durrës.
Në relacionin e përpiluar nga bashkia shkruhet se ky projekt që ka të bëjë me “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës perspektive TID të gjendur në parkun arkeologjik të Durrësit me zhvillues Bashkia Durrës”, synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e biznesit dhe turizmit në qytetin bregdetar.
Vlera e shpronësimit të 103 pronarëve të pasurive të paluajtshme truall apo ndërtesë llogatitet në rreth 490 milionë lekë të reja.
“Aktualisht projekti prek 103 pasuri pronë private, ku përfshihen dhe ato pasuri që janë me gjendje juridike Pronar i Pavërtetuar, të cilat sipas ligjit kërkohet të shpërblehen për pronën që shpronësohet. Vlera e shpronësimit është 490 402 930.2 (katërqind e nëntëdhjetë milion e katërqind e dymijë e nëntëqind e tridhjetë pikë 2) lekë. Vlera e shpronësimit do të përballohet nga Buxheti i Shtetit”,– bëhet e ditur ndër të tjera në relacion.
Deri më tani, bashkia Durrës ka marrë informacion dhe dokumentacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për 103 pasuri të paluajtshme.
“Edhe ato pasuri që janë me gjendje juridike Pronar i Pavërtetuar do t’i llogaritet vlera e shpronësimit, por me daljen e VKM-së për shpronësim, nëse do të rezultojë se prona do të rezultojë me pronar privat do të lëvrohet shpërblimi për pasurinë që shpronësohet sipas vlerës së përcaktuar nga grupi i punës.
Në këtë vlerë nuk përfshihen pasuritë me gjendje juridike shtet, mbasi vlera e tyre është 0 (zero).”,– shkruhet në relacion.
Relacioni shoqërohet edhe nga lista emërore e 103 pronarëve të këtyre pasurive të paluajshme që do të shpronësohen.
AADF aktualisht ka angazhuar fonde në shumën 260,000 dollarë pa tvsh për përgatitjen e projektit, ndërsa për implementimin e tij merr përsipër të financojë deri në vlerën prej 6,050,000 dollarë pa tvsh,
Zbatimi i projektit në zonën TID Durrës kushtëzohet nga procesi i shpronësimit dhe i prishjeve, të cilat do të realizohen pasi të jetë miratuar VKM-ja për shpronësim.
AADF ka implementuar projekte të ngjashme në zonat historike të Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Vlorës etj.
M.B.