Fundi i vitit pritet ta gjejë Durrësin plot me turistë. Qyteti bregdetar rezulton një destinacion i preferuar për natën e ndërrimit të viteve dhe  ditët e para të vitit të ri.

Turistë nga vende të Ballkanit, por edhe Italia fqinje kanë prenotuar paketa turistike 3 ditore (30 dhjetor – 2 janar), ndërsa Krishtlindja duket se do të kalojnë në një atmosferë krejtësisht shqiptare në hotelet e Durrësit.

“Kemi rezervime edhe për Krishtlindje, edhe për Vit të Ri. Risia këtë vit është se kërkesa e turistëve të huaj që të vijnë të kalojnë Vitin e Ri në Shqipëri ka qenë më e lartë. Pjesa më e madhe e turistëve janë nga Bullgaria. Ata kanë mbi 10 vite që preferojnë ta kalojnë këtu Vitin e Ri. Kemi gjithashtu nga Sllovenia, Rumania, por edhe grupe italianësh, që do të vijnë të festojnë natën e ndërrimit të viteve në vendin tonë.”,- thotë Blerim Norja, administrator i njërit prej hoteleve më të njohura në qytet.

Zonat historike të qyteteve më të njohura si Berati, Kruja, Durrësi etj do të regjistrojnë vizitorët e parë të huaj për vitin e ardhshëm, pasi paketat turistike përfshijnë ture në monumentet e trashëgimisë kulturore. Por gjatë ditëve festive një rëndësi e veçantë i kushtohet menusë.

“Darka e Krishtlindjes lë hapësirë për të servirur gatime moderne dhe inovative, kurse darka e Vitit të Ri është e panegociueshme; ka patjetër gjelin e detit, bakllavanë, kadaifin etj.”

E ndërsa Durrësi po mbyll një vit të suksesshëm turistik, me fluks të konsiderueshëm vizitorësh të huaj përgjatë gjithë vitit, viti 2025 sjell një risi tjetër për sezonin e ardhshëm.

“Në Shqipëri po futet tregu anglez në mënyrë të organizuar. Do të kemi avionë charter që do të sjellin turistët në vendin tonë duke nisur nga marsi e deri në nëntor. Kjo sjell edhe zgjatjen e sezonit, duke e kthyer Durrësin në destinacion të frekuentueshëm gjatë të gjithë vitit.”

Qyteti bregdetar përgjatë këtij viti ka regjistruar më shumë se 1.5 milionë turistë të huaj, duke vazhduar të mbajë fronin e kryeqytetit shqiptar të turizmit.

M.B.