Ditën e djeshme ndërroi jetë në mënyrë të papritur 17-vjeçarja nga Durrësi, Noela Caka. Maturantja ishte prekur nga meningjiti akut dhe pasi u paraqit me urgjencë mëngjesin e së shtunës në spitalin e Durrësit u dërgua më vonë drejt QSUT-së për një mjekim të specializuar.

Por adoleshentja nuk mundi t’ia dalë dhe paraditen e së dielës humbi jetën.

Pas humbjes së jetës së 17-vjeçares nga meningjiti, autoritetet kanë nisur menjëherë të aplikojnë masat e para profilaktike, me qëllim ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje infektive.

DurrësLajm” mëson nga burime zyrtare pranë gjimnazit “Leonik Tomeo”, se ambientet e shkollës janë dezinfektuar gjatë ditës së sotme, ndërsa autoritetet shëndetësore po gjurmojnë personat që kanë pasur kontakte me të.

Stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës janë tronditur nga vdekja tragjike e 17-vjeçares. Në një reagim që gjimnazi ka bërë në rrjete sociale shprehet dhimbja e thellë e të gjithëve për ndarjen nga jeta të Noelës.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta, të nxënëses tonë Noela Caka, për arsye shëndetësore.
Të gjithë u mblodhën për ti dhene lamtumiren e fundit të mirës ,të dashurës, të qeshurës , piktores tonë Noela. Eshtë e veshtirë të përshkruhet dhimbja qe ndjejmë të gjithë. Ky ishte një lajm i pabesueshëm .
Nuk është e lehtë të gjenden fjalët kur zemra është e renduar nga humbja.

Noela, do të na mungosh pafundësisht por do të jesh gjithmonë në zemrat tona.
Qofte shpirti yt ne paqe!
Ngushëllime familjarëve!”
,- shkruhet në njoftim.

Ndërkohë që nga mbrëmja e djeshme kemi tentuar të komunikojmë me drejtues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës, por deri tani nuk kemi marrë një përgjigje lidhur me masat konkrete që janë marrë në drejtim të familjarëve të vajzës, stafit mjekësor apo të gjithë personave që kanë pasur kontakte të afërta me vajzën gjatë ditëve të fundit.

Meningjiti është një infeksion i membranave (meningjeve), që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Meningjiti mund të shkaktohet nga një infeksion bakterial, fungal ose viral. Ai mund të jetë akut me një fillim të shpejtë të simptomave, kronik, që zgjat një muaj ose më shumë, ose i butë ose aseptik. Kushdo që përjeton simptoma të meningjitit duhet të vizitohet menjëherë tek mjeku

Fillimi i simptomave është i shpejtë dhe ndodh brenda 24 orëve. Nëse lejohet të përparojë, meningjiti bakterial mund të bëhet fatal. Cilido person me të cilin pacienti bie në kontakt të ngushtë duhet të marrë trajtim parandalues për të evituar këtë sëmundje infektive.

M.B.