Megjithëse ofron vlerën e njëjtë me fondin limit të tenderit shpallet fitues, ndërkohë që pjesa më e madhe e operatorëve të tjerë konkurues skualifikohen nga gara për arsye të ndryshme.
Kjo ka ndodhur me tenderin e prokuruar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës Sh.A, me vlerë 155.534.200 lekë pa TVSH e që ka si objekt “Studim projektim për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në Nj.Adm.Synej, Nj.Adm.Golem, Nj.Adm. Fushë Kuqe, Nj.Adm.Thumanë, Nj.Adm.Maminas, Nj.Adm.Manëz dhe në Nj.Adm.Rrashbull”.
Tenderi është shpallur më datë 15.08.2024, ndërkohë firma fituese është shpallur më 23 tetor dhe është INVICTUS.
Ajo që bën përshtypje është fakti se pavarësisht se në tender kanë marrë pjesë edhe 4 operatorë të tjerë, 3 janë skualifikuar me arsye të ndryshme, megjithëse kanë ofruar vlera më të ulta sesa fondi limit. Oferta më e ulët është ajo me vlerë 132,204,070 lekë dhe i përket kompanisë ZENIT&CO.
Ndërkohë gjeni pak… INVICTUS ka ofruar as më shumë dhe as më pak, po një vlerë të njëjtë me fondin limit, 155,534,200 lekë.
Nëse autoriteti kontraktues SHRUKD sh.a. nuk do të kishte skualifikuar kompaninë ZENIT&CO dhe do ta shpallte fituese do t’i kishte kursyer Buxhetit të Shtetit dhe njëkohësisht tatimpaguesve shqiptarë rreth 23 milionë lekë të reja.
Në database Open Data Albania, tenderi i Ujësjellës – Kanalizimeve Durrës klasifikohet me Flamur të Kuq për dy arsye: 1) Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurues përveç fituesit dhe 2) Skualifikim i ofertës vlerë më e ulët.
Krahas INVICTUS është kualifikuar edhe operatori tjetër ekonomik Gjeokonsult&Co, që ka ofruar 149,332,960 lekë, pra 6 milionë lekë të reja më pak sesa fondi limit.
Po pavarësisht ofertës më të ulët, kjo kompani është vlerësuar me 132 pikë nga komisioni i tenderit, ndërsa INVICTUS me 147 pikë.
Shpallja fitues e kësaj kompanie nga SHRUK Durrës nuk duket aspak rastësi, sepse kjo nuk është hera e parë që kjo kompani shpallet fituese e tenderave të prokuruar nga Ujësjellës-Kanalizime Durrës. E njëjta firmë është shpallur fituese nga SHRUK në tenderin “Studim projektim në rrjetin e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve, në Zonat Informale në Bashkinë Durrës”, me vlerë 94 580 350 lekë, pa TVSH.
Nga një kontroll i thjeshtë i transaksioneve financiare nga Thesari në drejtim të këtij operatori ekonomik, vetëm gjatë këtij viti numërohen 19 të tilla nga institucione shtetërore, ndërsa që nga momenti i krijimit kompania ka përfituar 81 transaksione nga Thesari në vlerën 231,878,231 lekë.
Punët publike, të cilat ka marrë përsipër të realizojë gjatë vitit 2024 kompania në fjalë, që figuron e regjistruar në Tiranë, janë tendera të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ujësjellësat në rrethe të ndryshme të vendit si Dibër, Mat, Tepelenë etj.
Puna e institucioneve shtetërore po kalon prej kohësh në sitën e SPAK dhe drejtues nga nivelet më të larta deri tek ato më pak të rëndësishme kanë parakaluar para gazetarëve në oborrin e godinës së Prokurorisë së Posaçme.
Por duket se abuzimet që kanë çuar pas hekurave shumë emra të njohur të politikës dhe zyrtarë shtetërorë nuk i trembin ata që vazhdojnë firmosin dhe legjitimojnë tenderat, që është pak të thuash “të dyshimtë”!
Ndërsa popullata vazhdon furnizohet në vitin 2024 me ujë të pijshëm me orar dhe era e kanalizimeve të ujërave të zeza është aroma që shoqëron kalimtarët ndërsa përshkojnë rrugët e lagjet e qytetit, SHRUK Durrës ka luksin të shpallë fitues një kompani që nuk ul as edhe një qindarkë nga oferta shtetërore e tenderit.
“Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur!!!”
M.B.