Për të dytin vit radhazi, rikthehet në sheshin kryesor të Durrësit panairi “Verë dhe traditë”.

Përgjatë dy ditëve të fundjavës, ky panair do të shërbejë si një mundësi shumë e mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit bregdetar dhe të fshatrave turistik në periferitë e tij.

Të shumtë ishin qytetarët durrsakë, që ndaleshin në stendat e kantinave të verës, punishteve të përpunimit të ullirit dhe nënprodukteve të tij, por edhe gatimeve tradicionale shqiptare për të degustuar nga afër prodhimet më të mira të tokës durrsake.  Nuk mungonin në panair edhe gjeli i detit me përshesh, byrekët me mbushje të ndryshme, por edhe ëmbëlsira tradicionale e fundvitit, bakllavaja.

Panairi u vizitua edhe nga shumë turistë të huaj, të cilët e shfrytëzuan këtë moment për të blerë dhe marrë me vete disa nga produktet tradicionale shqiptare. 

“Sapo bleva një shishe raki. Është hera e dytë këtu në Durrës dhe e shijojmë shumë qëndrimin këtu. Jeni njerëz shumë mikpritës”,- na thotë një shtetas italian.

“Jemi prej 5 ditësh në Durrës, kemi ardhur me një grup shokësh nga Holanda. Po kalojmë bukur dhe kemi shijuar shumë nga ushqimet tuaja”,

“Shqipëria është më e mira. Kemi parë shumëç­ka nga vendi juaj dhe po argëtohemi shumë. Ushqimin e keni fantastik”,- nga rrëfejnë një grup të rinjsh nga Holanda.

Atmosfera festive e krijuar nga programi artistik, që do të shoqërojë të dy ditët e panairit, argëtoi shumë nga të pranishmit në shesh.

M.B.