20 familje të Durrësit, të mbetura të pastreha nga tërmeti, janë bërë me apartamente të reja me strukturë 2+1 në sitin e Spitallës.
Këto familje i përfituan apartamentet e tyre në shorteun e organizuar sot në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi, u shpreh se bashkia po mendon që në ditët e para të muajit janar të vitit të ardhshëm të organizojë shorteun e radhës, në të cilin do të shpërndahen apartamente me strukturë 3+1 dhe 1+1.
Ndërkohë, përsa i përket futjes në shtëpitë e reja të rreth 500 përfituesve të apartamenteve, që janë shpërndarë në shortetë e mëparshëm, nënkryetari Kallmi sqaron se institucioni i qeverisjes vendore është në pritje të përfundimit të procesit të kolaudimit.
“Po presim përfundimin e procesit të kolaudimit të apartamenteve në sitin e Spitallës. Në momentin e dorëzimit të çelësave pranë bashkisë do të procedojmë me dhënien e çelësave përfituesve.”,– deklaroi ai.
Por a do të jetë shorteu i janarit i fundit?
“Nëse do të ketë përfitues akoma në vazhdim do të procedojmë edhe me hedhjen e shorteut për pjesën e mbetur”, tha Kallmi.
Në sitin e Spitallës janë ndërtuar me fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe 85 pallate me 996 apartamente me standarte moderne.
M.B.