Një peshkarexhë është mbytur në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në basenin e portit të peshkimit në Durrës.

Burime nga flota e peshkimit bëjnë të ditur për “Durrëslajm” se anija me emrin “Gimi & Geri” ka qenë e ankoruar në kalatë, por për shkak të motit të keq, që ka përfshirë orët e fundit gjirin e Durrësit, ka marrë ujë dhe është mbytur në basen.

Gjithashtu mësohet se peshkarexha është në pronësi të një shtetasi nga Korça, por vitet e fundit nuk ka dalë në det dhe ka qëndruar e ankoruar në bankinë.

Kriza e sektorit të peshkimit, që vijon prej kohësh tashmë, ka detyruar shumë pronarë të këtyre mjeteve që të mos kryejnë mirëmbajtjet dhe riparimet e zakonshme, për të cilat këto mjete kanë nevojë.

M.B.