Buxheti i bashkisë Durrës për vitin 2025 kaloi me 29 vota pro dhe 8 abstenime në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.

Votave pro të 28 anëtarëve të maxhorancës, iu bashkua edhe vota e njërit prej anëtarëve të opozitës, ndërkohë paketa fiskale kaloi me 28 vota pro dhe 10 abstenime.

Buxheti i vitit të ardhshëm kap vlerën rreth 5.4 miliardë lekë dhe është 21% më i lartë sesa ai i vitit të kaluar. Me këtë buxhet do të financohen 14 projekte të reja të bashkisë, ndërkohë që një pjesë e tij do të shkojë për Rindërtimin, rrugët, arsimin, dhe shërbimet sociale dhe strehimin social.

Për këshilltarin e djathtë Joni Myshketa procesi i rindërtimit duhej të mbyllej nga qeveria shqiptare, sepse kështu një pjesë e fondeve që do të shkonin për projekte për zhvillimin e qytetit shpenzohen për mbylljen e plagëve të tërmetit të vitit 2019. Ky zë në buxhet arrin në 62% të buxhetit total të investimeve. Gjatë mbledhjes, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se pallati “Ushina” në lagjen nr.5 të qytetit do të rindërtohet në po të njëjtin vend.

“Këtë vit ne kemi futur si investim të rëndësishëm, të ri të programit të rindërtimit, rindërtimin e pallatit Ushina. Ky është një lajm i mirë që dua t’ja jap banorëve të lagjes nr 5, sepse ka qenë një kërkesë e hershme e tyre që ky objekt të rindërtohej atje, por duke qenë se ne kemi bërë gjithmonë analizën e apartamenteve në lagjen e re të rindërtimit, na rezulton se atje numrat janë duke shkuar drejt fundit. Pra kemi mundësi që me rindërtimin e këtij objekti të akomodojmë banorët e këtij pallati.” – tha Sako.

Gjatë mbledhjes, këshilltari i PD Ardian Muka ngriti një sërë pyetjesh lidhur me buxhetin dhe paketën fiskale, por kryebashkiakja Sako u përgjigj se të gjitha këto pyetje duhet të ishin ngritur në mbledhjet e komisioneve dhe jo në mbledhjen e KB-së.

Këshilltari Muka bëri një kërkesë publike lidhur me marrjen e kontratës që bashkia Durrës ka me landfillin e Sharrës për përpunimin e mbetjeve, për të cilin mori garancinë se do t’i vihej në dispozicion.

Të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës kaluan me votat pro të 38 këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.

M.B.