Ndërhyrja e IMT Durrës për të liruar një sipërfaqe toke në fshatin Romanat, ku do të kalojë një rrugë, është shoqëruar ditën e sotme me një konflikte mes familjes, që pretendon se ka pronësinë e këtij trualli dhe autoriteteve shtetërore.

Bashkia Durrës, përmes burimeve zyrtare, bën të ditur se trualli në fjalë rezulton tokë shtet dhe është zënë në mënyrë të paligjshme nga familja Kapllani.

Kjo është hera e dytë që IMT ndërhyn për lirimin e kësaj rruge, të mbjellë me ullinj, pasi ndërhyrja e parë ka qenë në muajin korrik të vitit 2024.

Drejtori i IMT Durrës, Dorian Mema, bën të ditur se pavarësisht aksionit të muajve më parë familja Kapllani ka vijuar me zaptimin e tokës shtetërore dhe për këtë arsye inspektoriati është rikthyer sërish në këtë pronë.

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe efektivë të policisë vendore Durrës, të cilët kanë shoqëruar anëtarë të familjes Kapllani, që kanë kundërshtuar aksionin e IMT-së. Momenti i shoqërimit të tyre në furgonin e policisë është publikuar në rrjete sociale nga kryetari i PD Sali Berisha dhe kreu lokal i degës Durrës, Luan Hoti, të cilët e kanë konsideruar kriminale sjelljen e autoriteteve shtetërore ndaj qytetarëve të shoqëruar.

Mësohet se kreu i Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit ka depozituar në polici një kallëzim penal për shtetasin V. Kapllani, pasi siç deklaron Mema, ai është kërcënuar nga shtetasi në fjalë gjatë kohës, kur mjetet e rënda të IMT-së po ndërhynin për lirimin e rrugës.

Familja Kapllani pretendon se është pronare e sipërfaqes së tokës, ku bashkia Durrës ka planifikuar të ndërtojë një rrugë, që do të lidhë banorët e këtij fshati me tokat e tyre bujqësore. Ndërkohë pushteti vendor deklaron se në bazë të korrespondencës me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës trualli në fjalë rezulton tokë shtet dhe është uzurpuar në kundërshtim me ligjin.

M.B.