198 familje, banuese në bashkinë Durrës dhe të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, u bënë sot me banesa të reja.
Qytetarët përfituan përmes shorteut publik, të zhvilluar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” apartamente me strukturë 3+1 në sitin e ri të Spitallës, ku janë ndërtuar 996 apartamente të reja.
Ky është shorteu i tretë i madh për ndarjen e apartamenteve, pas atyre të zhvilluara në muajin gusht dhe shtator.
Por megjithëse mbi 500 familje në Durrës i kanë përfituar prej muajsh shtëpitë e reja në sitin e Spitallës, ata ende nuk janë futur në banesa, pasi i gjithë kompleksi i banimit, i ndërtuar falë një investimi të Emirateve të Bashkuara Arabe, është në proces kolaudimi.
“Në Spitallë është procesi i fundit i kolaudimit. Në momentin që përfundojnë punimet çelësat dorëzohen në bashki dhe ne procedojmë me shpërndarjen. Bashkia është përfituese, nuk është zhvilluese e projektit dhe firma që po bën punimet në momentin që i kolaudon ato, dorëzon çelësat”,- deklaroi nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi.
Ky i sotmi, nuk pritet të jetë shorteu i fundit për të pastrehët e tërmetit.
“Sot janë trajtuar të gjithë përfituesit me vendim të Këshillit Bashkiak, por kjo nuk do të thotë që procesi i Rindërtimit ka përfunduar. Ka disa raste ende në shqyrtim dhe në vijim, nëse do të ketë përfitues të rinj do procedojmë me hedhjen e shorteut”.
Një ditë më parë, 13 familje të tjera u bënë me shtëpi të re gjatë shorteut të zhvilluar në ambientet e Këshillit Bashkiak.
M.B.