Nga Ing. Kristaq Prifti
U bënë shumë vite që jemi mësuar të lexojmë pothuaj përditë shkrime nga Bujar Qesja. Na është bërë si domosdoshmëri përditësore që të mësojmë diçka prej tij.
Duke qenë kështu më ka ngacmuar gjithmonë mendimi po për këtë përkushtimin e këtij njeriu; ndaj njerëzve dhe qytetit të tij kush do të shkruajë?
Kam pritur vazhdimisht të lexoj diçka të tillë. Komentet për shkrimet e tij janë brilante nga të gjithë, kudo ku ka durrsakë, nga qytetet e Europës e deri nga kontinentet e tjera. Meqenëse nuk po e shoh diçka të tillë, nga njerëz “të letrave” mora guximin të hedh unë disa rreshta. Nuk jam i kësaj fushe, por sidoqoftë kur mendon se po shkruan atë që ndjen pamvarësisht stilit e nivelit letrar bëhet e pranueshme. Fatmirësisht jam i një brezi m Bujar Qesen. Kemi qenë bashkë në shkollën 7-vjeçare “Dalip Tabaku”. Një nxënës i shkëlqyer që unë tani i them me shaka: Bujar ke qenë i shkëlqyer, por nuk mësoje shumë, se përndryshe, a ha, do të na e kaloje të gjithëve. Kishte inteligjencë të lindur.
Ishte një djalë “trup” për kohën, i gjatë e i fuqishëm në lojërat që bënim. Shumë dinamik e aktiv në jetën shoqërore fëminore. Është fëmija i tretë, e i fundit nga 3 fëmijët e Xhaferr e Kadrije Qeses, bashkë me dy vëllezërit Yllin dhe Ilirin.
I jati Xhafa, i njohur në Durrës si kuadër i shquar i kohës, me prejardhje nga një familje nga më të kamurat në Krujë. Derë e madhe patriotike. Bazë dhe organizator e udhëheqës gjatë luftës nac-çl, bashkë me vëllain idealistin Xhavit Qesja që vuajti burgjeve të internimeve. Kadrija e ëma, fisnikja e lagjes për të gjithë.
Por të vijmë tek Bujari ynë, them i yni sepse, pena, shkrimet e ndjenjat e tij kanë hyrë, pothuajse si një mjek i mirë në çdo derë durrsaku.
U mor me futbollin e luajti për disa kohë futboll, deri sa ju përkushtua studimeve. Jeta e përplasi në shumë fronte pune, por kudo u dallua. Ndërtoi marrëdhënie të mira me kolegët dhe është një kujtim i mirë dhe i dashur për të gjithë ata që e njohën.
Sot e shohim në një barake llamarinë 2x3m, ku qëndron gjithë ditën, për të nxjerr sado pak të ardhura për jetesën. Ky njeri kontribuor i veçantë për shoqërinë e qytetin, të lihet në harresë e i pa vlerësuar? A nuk mund të gjendet, një dhomë nga pushtetarët, ku të paktën të ketë mjetet minimale, për të rregjistruar, e shkruar?
Por kjo barakë, falë shpirtit të tij human, falë angazhimit të tij qytetar, falë aftësive të tij, është bërë si një seli apo shtëpi pritje ku me qindra vetë, e tashmë mbas kaq vitesh ndoshta janë bërë mijëra, ndalojnë e provojnë “bujarinë” e Bujarit.
Bujari fisnik të gjithë i fton të ulen, në atë ambient të shveshur nga gjithçka për një vend pritje, por të mbushur me dashuri e respekt për këdo, Bujari pret e qeras me kafen e tij, pothuaj gjithë qytetin. Këtë e shikoni nga ato që ai shkruan.
Kemi lexuar nga “Bujari ynë” për të gjallë e të vdekur, për sportistë, e artistë, për mësues e profesorë, për punëtorë e novatorë, për mjekë e inxhinierë, për bujq e agronomë, për të rinj e pleq, për para/ardhës e pasardhës, etj etj…
Në të gjithë këto shkrime kemi parë të derdhet dashuria e tij për njerëzit, për jetën e historinë e Durrësit.
Kontributin e tij në këtë drejtim e vlerësojmë, shumë të gjithë. Unë shpesh i them ku je o “kronikani i Durrësit“. Jo pak ditë më parë në një takim, më “Bujarin tonë” prezent një mik i përbashkët më pyeti: “Çfarë mendimi ke për Bujarin”. Unë u përgjigja, është “Elvija Çelepia” për ne. Plasën të qeshurat (Elvija Çelepia – historian, kronikan i shquar në kohën e Perandorisë Turke).
Nuk e kam aftësinë që të shkruaj pak e të them shumë; prandaj e kam një merak. Rri e mendoj, atë që ti meriton, a do të mundem vallë ta realizoj.
Mendoj se jam natyrë e ftohtë apo racional. Nuk më pëlqejnë lëvdatat që bëhen ndërmjet njerëzve, e më duken sikur bëjnë elozhe. Por në rastin e “Bujarit tonë” fjalët e mira bëjnë përjashtim, nuk janë elozhe. Fjalët për të mund të jenë përmbarim, por më tepër mirënjohja për të duhet të jetë e pafundme.
Po e mbyll me stilin e tij: “Rrofsh e qofsh Bujari ynë, me jetë të gjatë e shëndet, me mendje të kthjellët e penë të fortë”.