Kryeministri Edi Rama ka sugjeruar që seriali britanik “Adoleshenca”, i cili ka tronditur opinionin publik ndërkombëtar, të shfaqet edhe në shkollat shqiptare. Gjatë një takimi me prindër në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, ai theksoi rëndësinë e këtij seriali në pasqyrimin e sfidave të shoqërisë moderne për fëmijët dhe adoleshentët.
“Do ishte shumë mirë nëse do mund të bënim shfaqje të filmit për nxënësit në të gjitha shkollat. Mund të përdorim palestrat për shfaqje të organizuara, sepse është një film që ka tronditur mbarë botën dhe flet ekzaktësisht për sfidat që kemi sot si shoqëri,” – tha Rama.
Ai shtoi se familjet dhe fëmijët jetojnë në “dy universe paralele”, ku prindërit shpesh nuk e kuptojnë botën digjitale të fëmijëve të tyre. Në këtë kontekst, Rama mbrojti vendimin për mbylljen e TikTok në Shqipëri, duke e quajtur një hap të nevojshëm për mbrojtjen e të rinjve nga ndikimet e rrezikshme të rrjeteve sociale.
Seriali “Adoleshenca” rrëfen historinë e një 13-vjeçari të arrestuar për vrasjen e një shoqeje klase, ndërsa hetimet zbulojnë se ai ishte viktimë e bullizmit të vazhdueshëm në internet. Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbështetur gjithashtu idenë që ky serial të shfaqet në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar.