Pas shkarkimit të drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, dhe kallëzimit të saj në Prokurori pas një kontrolli që konstatoi parregullsi në administrimin e fondeve, ka reaguar edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit nga Partia e Lirisë, Anisa Ibraj.

Ibraj, e cila njëherazi është edhe kolege e Matajt në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ka reaguar në rrjetet sociale, ku ngre akuza për abuzim me fondet publike dhe kërkon përgjegjësi për zyrtarët.

“Për 8 muaj pasurohen drejtorët në vendin tonë! Edhe sa hajdutë do të durojë Durrësi? Edhe sa herë fondet publike, taksat tona do të grabiten, ndërsa qytetarët përballen me rrugë të degraduara, përmbytje dhe mungesë investimesh? Paratë e qytetarëve duhet t’u kthehen qytetarëve në shërbime që u mungojnë e jo të pasurohen rilindasit me 8 muaj detyrë!”, shkruan Ibraj.