Nga mëngjesi i sotëm ka nisur spostimi i automjeteve të qytetarëve durrsakë nga të gjitha akset ku është ndaluar parkimi i mjeteve motorike në kuadër të planit të masave të ndërmarrë për të garantuar zhvillimin e njërës prej etapave të garës çiklistike “Giro d’Italia 2025”.
Ashtu siç edhe autoritetet kanë njoftuar gjatë këtyre ditëve, në disa nga akset kryesore të qytetit si “Mars 91”, “Taulantia”, bulevardi “Epidamn”, “Rruga e dëshmorëve”, “Adria”, “Pavarësia” etj nuk do të lejohet parkimi i mjeteve duke nisur nga ora 08.00 e datës 8 maj, deri në orën 15.00, të datës 9 maj.
Paraditen e së premtes, në orën 13.00, pritet që 180 çiklistët profesionistë nga e gjithë bota, pjesëmarrës në etapën e parë të kësaj gare të bëjnë një xhiro promovuese në qytetin bregdetar për t’u drejtuar më pas drejt zonës së Plepave, ku dhe do të startojë zyrtarisht edicioni i 108-të i kësaj gare ndërkombëtare.
Lëvizja në qytetin bregdetar do të jetë mjaft e kufizuar gjatë paradites së të premtes, pasi praktikisht në disa nga rrugët kryesore të qytetit nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve, nga ora 11:00 deri në orën 14:00, respektivisht në rrugën “Taulantia”, “Anastas Durrsaku” dhe rrugën paralel me portin.
Në të gjitha akset, ku autoritetet kanë njoftuar se do të ndalohet parkimi i mjeteve efektivët e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së shtetit po vendosnin shiritët e sigurisë për të garantuar lëvizshmërinë e sigurt të çiklistëve përgjatë gjithë itinerarit që ata do të përshkojnë në qytetin bregdetar.
Gara do të nisë në KM 0, në zonën e Plepave dhe më pas çiklistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”, në kryeqytet.





