Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht mbi ngjarjen tragjike të ndodhur paraditen e sotme në plazh, ku një turist i huaj humbi jetën, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15 në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit janë njoftuar për incidentin dhe kanë reaguar menjëherë duke shkuar me mjet lundrues për të dhënë ndihmën e parë. Dy personat u nxorën nga uji (djalë e vajzë) dhe u transportuan menjëherë drejt portit me qëllim dërgimin në spital.

Sipas verifikimeve paraprake të ekipit të urgjencës që priste në port, njëri prej shtetasve, S. O., 34 vjeç, banues në Angli, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë, ndërsa shtetasja tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtruar menjëherë në spital.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.