Një jaht i ankoruar në kalatën Marina Jaht (ish-kalata e vjetër e peshkimit) në portin e Durrësit është tentuar të vidhet në mes të ditës.

Të paktën ky është pretendimi i ngritur nga pronari i mjetit lundrues “Tamomar 2”, i cili lidhur me rastin në fjalë ka bërë edhe denoncimin përkatës në polici.

Sipas denoncimit të bërë, të cilin pronari D. Alikaj ia ka vënë në dispozicion “DurrësLajm”, jahti është larguar nga kalata ku qëndronte i ankoruar që prej shtatorit të vitit 2024 në orën 13.57 të ditës së sotme.

Pronari shqiptar i jahtit disponon edhe pamjet filmike  dhe foto të momenteve kur jahti është larguar nga kalata, (video në fund të shkrimit)  me 3 persona të paautorizuar në bord, ndërkohë që kapiteni turk i mjetit lundrues ishte në tokë.

Sapo është vënë në dijeni për largimin e jahtit nga kalata, pronari ka njoftuar Policinë Kufitare lidhur me rastin dhe i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë për të bërë denoncimin përkatës.

Në denoncim thuhet se zyra e Marina Jaht i ka komunikuar shtetasit D.A. se nuk dinte se me urdhër të kujt është larguar nga kalata jahti.

Në momentin kur institucionet shtetërore janë vënë në lëvizje, mjeti lundrues ka nisur të kthehet në kalatë. Sipas pronarit, në polici janë shoqëruar 3 personat që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues dhe kapiteni i jahtit, për të dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme që do të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur ngjarjen.

Po sipas D.Alikaj, mjeti lundrues është nxjerrë aktualisht nga deti dhe ndodhet në kalatë, ndërkohë që policia po kryen të gjitha veprimet hetimore.

Ai pretendon se në kabinën e pilotimit ka pasur rreth 2600 euro dhe një orë të markës “Filip patek”, të cilat nuk dihet nëse janë gjetur apo jo nga policia.

“Unë dua që policia të zbulojë pse m’u vodh jahti në mes të ditës, nga cilët persona m’u vodh dhe çfarë donin të bënin me të. Dua që policia ta zbardhë çështjen”,– thotë pronari i jahtit, shtetasi D.Alikaj.

M.B.