Në këto ditë të nxehta të muajit të parë të sezonit veror, Durrësi mirëpret pushues dhe turistë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga shumë vende evropiane dhe më gjerë. Shtimi i ndjeshëm i popullsisë, sidomos gjatë periudhës qershor – gusht, i ngarkon autoritetet ligjzbatuese me përgjegjësi edhe më të mëdha për të garantuar rendin dhe sigurinë, në kryeqytetin shqiptar të turizmit.

Sfidat janë të shumta për efektivët e policisë në terren dhe për këtë arsye, Drejtoria Vendore e Qarkut Durrës ka hartuar një plan të veçantë masash me qëllim garantimin e sigurisë rrugore, lehtësimin e qarkullimit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe turistëve, që frekuentojnë qytetin dhe zonat bregdetare.

Që nga nisja e sezonit veror, në fokusin e punës së përditshme të policisë vendore dhe Policisë Bashkiake është lirimi i hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare.

Deri më tani janë zhvilluar 12 operacione policore të koduara “Plazh i lirë” duke nisur nga bregdeti i Kallmit dhe deri në Shkëmbin e Kavajës dhe më tej.

“Gjatë kontrolleve në qarkun e Durrësit janë hequr dhe sekuestruar 800 komplete shezlongësh dhe çadrash të vendosura në hapësira publike pa leje nga autoritetet kompetente”,- tha për “DurrësLajm” zëdhënësja e DVP Durrës, Malvina Zeneli.

Dy apo trefishimi i popullsisë në Durrës shoqërohet me sfidën e përditshme të qarkullimit rrugor, sidomos në akset që lidhin qytetin me zonat bregdetare. Për këtë arsye, efektivët e Policisë Rrugore janë në gatishmëri maksimale përgjatë këtyre muajve.

“Disa nga masat e marra janë; angazhim i punonjësve shtesë; punë me orare suplementare; prezencë e shtuar gjatë ditës në pika me ngarkesë të lartë; përdorim i radarëve dhe mjeteve inteligjente në rrugët urbane dhe interurbane, gjatë ditës dhe natës; kontrolle alkooli gjatë orëve të natës në zonën e plazhit dhe në qytet; ngritje e pikave të përkohshme të kontrollit për parandalimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe kufizim i qarkullimit të mjeteve me tonazh të rëndë në oraret me fluks të lartë”,– deklaroi Zeneli.

Pak ditë më parë, policia zhvilloi disa kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën turistike të Durrësit dhe të Golemit dhe njëkohësisht për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

“Masat për kontrollin e ndotjes akustike janë: mbikëqyrje e aktiviteteve në lokale, plazhe dhe klube nate për respektimin e normave të zhurmës, veçanërisht në orët e natës; vendosje e orareve limit për muzikën me volum të lartë në ambiente të hapura; matje me pajisje të posaçme në bashkëpunim me ISHMT dhe autoritete të tjera; ndëshkime për shkelësit që tejkalojnë nivelet e lejuara të zhurmës, sipas ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis””,- tha zëdhënësja e DVP Durrës.

Policia e Durrësit do të jetë përgjatë gjithë sezonit veror e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për banorët dhe vizitorët.

M.B.