Mëngjesin e kësaj të hëne, në portin e Durrësit është ankoruar një nga superjahtet më të mëdhenj në botë, prodhim i vitit 2022.
Bëhet fjalë për super mjetin luksoz “Opera”, në pronësi të njërës prej figurave kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe, sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
“DurrësLajm” mëson se superjahti do të furnizohet me rreth 320 mijë litra karburant. Edhe një vit më parë, në muajin korrik, mjeti lundrues luksoz vizitoi portin më të madh në vend.
Pikërisht për shkak të çmimit të lirë të karburantit, porti i Durrësit është kthyer në një “atraksion” për superjahtet më luksozë të botës, të cilët vijnë për të mbushur plot serbatorët e tyre me naftë pa akcizë.
Duke qenë se gjatë periudhës së verës, ato lundrojnë kryesisht në ujërat e detit Mesdhe, porti i Durrësit është lehtësisht i arritshëm për ta për të kryer furnizimet e nevojshme.
Mësohet se “Opera”, pasi të kryejë të gjitha furnizimet e nevojshme do të lundrojë drejt Dubrovnikut, Kroaci.
Kujtojmë se një vit më parë, shteti shqiptar mblodhi në arkën e tij rmbi 1 miliardë lekë të ardhura nga taksa e karburantit nga jahtet dhe megajahtet
Me vlerë rreth 450 milionë dollarë, “Opera” ka nevojë për rreth 45 milionë euro në vit për miirëmbajtje.
Ndryshe nga disa superjahte të tjera që kanë ardhur në portin e Durrësit për t’u furnizuar me karburant dhe marrë shërbimet e tjera të nevojshme. “Opera” nuk lëshohet me qira nga pronari i tij.
M.B.





