Teuta po përgatitet ta nisë sezonin e ri futbollistik totalisht e rinovuar. Klubi durrsak prezantoi sot presidentin e ri të ekipit, biznesmenin Fatos Troplini, trajnerin Enkeleid Dobi dhe drejtorin sportiv Renato Arapi.

Pas largimit të ish-presidentit Edmond Hasanbelliu dhe një sezoni jo shumë të mirë, ekipi i djemve të detit dhe presidenti i ri i kanë synimet e qarta, renditjen në një nga katër vendet e para në Superligë.

Trajner i ri Enkeleid Dobi zhvilloi sot stërvitjen e parë me lojtarët dhe siç theksoi edhe vetë gjatë konferencës për shtyp ,synon të përsërisë suksesin e arritur në sezonin 2020-2021, kur luante me Teutën dhe u shpall kampion i Shqipërisë.

Djemtë e detit kanë afruar disa lojtarë cilësorë për sezonin e ri, por të tjerë futbollistë pritet t’i bashkohen ekipit.

Për drejtorin sportiv, Renato Arapi, ish-kapiten dhe lojtar emblemë i Teutës një fokus i veçantë do t’i kushtohet strukturimit dhe zhvillimit të sektorit sportiv.

E ndërsa Teuta e sezonit futbollistik 2025-2026 është një klub që synon të rikthehet në majat e futbollit shqiptar, në shkallët e stidiumit ata mirëpresin rikthimin e tifozerisë durrsake, si mbështetjen kryesore për “Djemtë e detit” në ndeshjet brenda dhe jashtë Durrësit.

M.B.