Efektivët e Policisë Bashkiake Durrës kanë “zbarkuar” pasditen e sotme në bulevardin “Epidamn” për të liruar hapësirat publike të zëna nga subjektet private që ushtrojnë aktivitetin aty.
Një pjesë e tavolinave, karrikeve, çadrave etj që bizneset i kishin vënë në trotuare janë larguar nga efektivët e bashkiakes, gjatë aksionit, që synon të rikthejë hapësirat publike në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve.
Ky aksion duket se vjen pas direktivave të kryeministrit Edi Rama ditë më parë në Vlorë, ku kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë, pasi sipas tij kishin përgjegjësinë për problematikat që hasen në qytetin bregdetar.
Nesër kryeministri Rama pritet të vijë në Durrës dhe fokusi i vizitës së tij sërish mbeten hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, apo siç e cilëson vetë kreu i ekzekutivit “tokë e xanun”.
Por këto shkelje të ligjit, që sot janë në fokusin e punës së organeve ligjzbatuese në Durrës janë aty prej muajsh apo vitesh. Tavolinat, karriket, tendat, vazot e luleve etj nuk “mbinë” sot në bulevard, apo në hapësirat e tjera publike të qytetit.
A duhet pritur gjithnjë “shkundja” që vjen nga lart, që institucionet të kujtohen se këto subjekte po shkelin ligjin?!
Aksioni i pasdtes së kësaj të hëne la të habitur bizneset por edhe vetë qytetarët.
Për mikrofonin e “DurrësLajm”, subjektet private pranojnë që nuk kanë marrë asnjë njoftim për aksionin në fjalë. Shumë prej tyre refuzojnë të flasin para kamerës nga frika e “ndëshkimeve” dhe prononcohen vetëm jashtë kamerës.
Ndërsa për qytetarët, lirimi i hapësirave publike duhet përshëndetur, por nga ana tjetër duhet të bëhet i kontrolluar dhe të mos i detyrojë qytetarët që tani në vapën e korrikut, të mbyllen brenda “kafazeve” të ambienteve të brendshme.
Aksioni pritet të vijojë me intensitet edhe në ditët në vijim, si pjesë e një plani më të gjerë për lirimin e të gjitha hapësirave publike.
M.B.





