Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vijon prej dy ditësh aksionin për lirimin e hapësirave publike në Durrës.
Aksioni i sotëm është përqendruar në lagjen nr.4, pranë Stacionit të Trenit, ku siç shihet edhe në pamjet që “DurrësLajm” po publikon po hiqen struktura metalike, kioska etj.
Ndërhyrja e IKMT-së pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Kujtojmë se rreth dy javë më parë, IKMT ndërhyri edhe në vijën bregdetare tek Shkëmbi i Kavajës ku u prishën struktura të drunjta të ngritura pa leje dhe u liruan hapësira publike për t’i kthyer ato në shërbim të qytetarëve.
Ndërkohë, pasditen e së hënës, Policia Bashkiake Durrës ndërhyri për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike në bulevardin “Epidamn”.
Efektivët u kërkuan subjekteve private që ushtrojnë aktivitetin aty, kryesisht bar-kafe, fast food etj të largonin tavolinat e karrikat dhe të gjitha tendat apo çadrat e vendosura pa leje në trotuaret e Rrugës Tregtare.
Edhe paraditen e sotme, subjektet private vijonin punën për largimin e të gjitha strukturave metalike apo prej xhami të vendosura në trotuar.
Ditët e fundit, menjëherë pas vizitës së tij në qytetin e Vlorës, ku urdhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve, kryeministri Edi Rama ka kërkuar disa herë lirimin e hapësirave publike të zaptuar pa të drejtë.
Në deklaratat e tij, kryeministri Rama ka bërë të qartë se koncepti “tokë e xanun” nuk duhet të ekzistojë.
M.B.





