Mesditën e kësaj të mërkure,, kryebashkiakja Emiriana Sako ka takuar subjektet private që ushtrojnë aktivitetin në bulevardin “Epidamn”, i njohur ndryshe si “Rruga Tregtare”.

Aksioni i ndërmarrë pasditen e së hënës në këtë aks rrugor nga ana e Policisë Bashkiake për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike ka ngjallur pakënaqësi dhe shqetësim tek privatët, por edhe qytetarët.

Largimi i të gjitha karrikeve, tavolinave, tendave, vazove me lule etj nga bar-kafetë apo fastfood-et etj dhe mbyllja e qytetarëve dhe turistëve në ambientet e mbyllura të këtyre bizneseve duket se nuk ka qenë zgjidhja perfekte, sidomos në këto ditë super të nxehta vere.

“DurrësLajm” mëson se e shoqëruar nga drejtori I turizmit Lorenc Smajli, kryetarja e bashkisë ka takuar një për një të gjithë administratorët e bizneseve dhe i ka siguruar se mund t’i rikthehejnë tavolinat dhe karriket, sapo të rinovojnë lejet përkatëse në bashki.

Duket se të vetmet që nuk do të rikthehen, të paktën së shpejti, janë çadrat apo tendat e vendosura në trotuare, të cilat prishin peisazhin e këtij bulevardi.

I kthyer në pedonale duke nisur nga fillimi i këtij muaji, bulevardi “Epidamn” është thuajse braktisur këto ditë të fundit nga qytetarët, të cilët, në pamundësi për t’u ulur në ambientet e jashtme të lokaleve kanë preferuar të konsumojnë një kafe përgjatë vijës bregdetare duke shënuar kështu një rënie të theksuar të xhiros për lokalet e qendrës së qytetit.

M.B.