Një përplasje mes dy mjeteve lundruese ka ndodhur pasditen e sotme në zonën detare të Golemit në Kavajë, rreth orës 17:36. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg vijës bregdetare, jashtë perimetrit të sigurisë dhe në një zonë të përcaktuar për lundrim, jo për plazh.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, mjeti lundrues i drejtuar nga shtetasi S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, është përplasur me një tjetër motor uji që drejtohej nga shtetasi P. B., 31 vjeç, me origjinë nga Kosova.
Si pasojë e përplasjes, P. B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital nga shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat po monitoronin hapësirën detare në momentin e ngjarjes. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi tjetër, S. D., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet paraprake, mësohet se të dy shtetasit ishin duke lundruar së bashku dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi në momentin e aksidentit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes mes dy mjeteve lundruese.





