Është parkimi më i madh publik në qytet me 140 vende, por rruga dytësore që lidh aksin kryesor me vendparkimin pranë shëtitores “Taulantia” lë shumë për të dëshiruar.

Siç shihet edhe në pamjet video që sjell “DurrësLajm”, infrastruktura rrugore është në gjendje gati të degraduar, me gropa të mëdha në asfalt dhe vende vende e pashtruar.

Ndërkohë, ditët e fundit, në këtë vendparkim ka nisur të vendoset infrastruktura e nevojshme për vendosjen e pajisjeve pagesë automatike si pjesë e nismës së Bashkisë për kthimin e tij në sheshparkim publik me pagesë.

Në hyrje të sheshparkimit është ndërtuar një trafikndarëse, ku do të vendoset në vijim trau i parkimit.

Në një video që ka mbërritur në redaksinë tonë, qytetari denoncon faktin se trafikndarësja, në përmasat që është, vështirëson kalimin e automjeteve të vogla, ndërsa për autobusët mund të jetë e pamundur të kalojnë aty.

Në muajt e fundit të vitit të kaluar, bashkia Durrës hapi tenderin për pajisjen me sistem të automatizuar të 3 sheshparkimeve publike; sheshi pranë Muzeut të Dëshmorëve, sheshi pranë Pallatit të Sportit dhe sheshi pranë dy kullave, shëtitorja “Taulantia”. Projekti kap vlerën rreth 12 000 000 lekë.

Në fillim të këtij viti, bashkia shpalli firmën fituese të tenderit “Adi Professional”, e cila do të zbatojë këtë kontratë me objekt “Furnizim, vendosje pajisjesh për parkimet publike në qytetin e Durrësit”.

Sheshet në fjalë kanë aktualisht një numër të konsiderueshëm vendesh parkimi, por u mungon sistemi i sinjalistikës rrugore në parkim, vijëzimet e nevojshme, për të evidentuar vendet e parkimit dhe sistemin e qarkullimit. Gjithashtu mungojnë pajisjet e shërbimeve me pagesë.

Në projekt parashikohet që 3 sheshparkimet publike me pagesë do të kthehen në parkime të mbyllura për të garantuar një shërbim cilësor për përdoruesit e përditshëm ose abonentët. Ato do të jenë të pajisur me tra hyrës/dalës dhe sistem monitorimi me kamera.

M.B.